“Gruaja nga shërbyese në luftë, në presidente në paqe”

17 shkurt 2021 | 18:13

Elbasan Geci

Në botë pozita e gruas ka pasur luhatje ndër shekuj, nga më të ndryshme ishin keqtrajtimet ndaj saj. Madje, deri në fundin e shek. VI (pas e.s) në disa nga vendet ato varroseshin të gjalla, dhe pikërisht ky fenomen primitiv vinte nga individë që vet kishin lindur nga një grua.

Por, në lindje, kjo gjendje filloj të ndryshoj.
Në botë historikisht gruaja kaloi nga varrosja për së gjalli në individin që nëpërmjet votes së saj përfshihej në vendimarrje; nga një qenie që trajtohej si shërbëtore në të drejtën e pjesëmarrjes në vendime për familjen (pasiqë në botë ishte i theksuar sistemi familjar i patriarkatit ku burrat vendosnin për gjithcka).

Sa më shumë që ngritej vetëdija, gruas i jepej aq më shumë hapësirë në familje, shoqëri, shtet dhe çdo hallkë tjetër jetësore. Mirëpo, pavarësisht këtyre përparimeve deri vonë nuk kishte thuajse fare udhëheqëse gra të shteteve apo ndonjë pozicioni që kishte të bënte me udhëheqje të bashkësive ku jetohej e më vonë edhe në shtet (pas lindjes dhe definimit të konceptit shtet).

Disa obligoheshin fetarisht nga librat fetarë që nëna duhet respektuar, e disa krijonin kushtetuta në të cilat u jipnin të drejta edhe grave, madje në “botën moderne“ pozitat duhet të ndahen 50/50 sa burra aq edhe gra.

Brenda pozitave të partive politike, parti demokratike quheshin ato parti të cilat në mesin e kryesisë së ngushtë pozitë të lartë i linin gruas. Një hap tjetër konkret përbënte edhe krijimi i forumeve të gruas, e që kjo nënkuptonte një definim se cilat gra do të jenë të gatshme për përfaqësim kur partia fiton.

Zotësia e grave u tregua edhe kur ato u organizuan për të kërkuar të drejtat e tyre, e ndër to ishte e drejta për të votuar.  Mirëpo, nga gjerësia e trajtimit të temës duke përfshirë botën po ngushtohemi në “gruan shqiptare“, vendi i cili është i mbuluar me trazira politike e luftëra me shumë dëme civile.

Për gruan u fol edhe në kanunin i cili rregullonte jetën dhe veprimtarinë e shqiptarëve, Kanuni i Lekë Dukagjinit e vlerësonte gruan si “rob“ dhe  ajo duhet t`i shërbej burrit. Në anën tjetër, obligime për gruan kishte edhe burri, e që sipas këtij kanuni ai duhej t`i plotësonte të gjitha kërkesat e familjes dhe nuk duhej të linte asgjë në mungesë për shtëpinë. Por, me kalimin e kohës këto kode zakonore evoluan dhe morrën kahje për të mirë. Kuptohet në mungesë të një parlamenti i cili miraton ligje, i mirëpritur ka qenë një kanun i cili ishtë bashkësi kodesh zakonore asokohe, e që ndihmoi në mbarëvajtjen e jetës përgjatë shekujve, anipse jo në favor të gruas.

Duke u ndalur edhe më konkretisht në temë, për rolin e gruas në politikë dhe për pozitat udhëheqëse në të cilat qëndron gruaja, e shohim se nga shumë lëvizje çlirimtare që u bënë qoftë në Shqipëri përgjatë luftës anti-fashistë, qoftë në Kosovë në luftën e fundit me sllavët e jugut, gratë u gjetën të rreshtuara krahëpërkrahë burrave duke luftuar për vendin e tyre. Si „shërbëtore“ të atdheut, me pjesëmarrje përballë armiqve gratë nuk e kontestuan gjininë të cilës iu përkasin por, kapën armët dhe treguan trimërinë. Ato u dëshmuan në shumë dimensione, nga përgatitja e ushqimit për vijat e parat të frontit, te mjekimi i plagëve të të plagosurve e madje deri te pjesëmarrja direkte në vijat e para të frontit.

Pozita e gruas përmes pjesëmarrjes në luftë është shumë me rëndësi, sepse dëshmon edhe një herë rolin e saj përgjatë kohërave të ndryshme dhe largon barrierat gjinore, të cilat iu qaseshin gruas si individ që di vetëm të kujdeset për shtëpi. Ndërkohë, ajo kontribuoi që shtëpia-shteti të ketë liri. E pa të, nuk do të ishin as gratë dhe as burrat në Kosovë.

Nga lufta në paqe shumë nga gratë filluan të shkollohen e të doktorrojnë, të gradohen me tituj të lartë akademik. Madje sistemi demokratik në Kosovë ju mundësoj që dijen e akumuluar të kenë mundësi ta shpërndajnë duke qenë profesoresha në universitete shtetërore, anipse nuk ka një proporcion gjinor në këto institucione.

Me qetësimin e gjendjes pas trazirave të krijuara filluan edhe të shtohen mediume. Krahas televizionit e radios, gazetat e shkruara filluan të transformohen në ato elektronike. Këtu e shohim një rritje të përqindjes së të punësuarave gra. Në mediume të ndryshme numri i gazetareve shpesh tejkalon atë të gazetarëve-meshkuj, madje këtë e dëshmojnë edhe statistikat e studentëve në këtë drejtim universitar.

Mirëpo, sërish pozitat e kryeredaktorvëve shumica e mediumeve ia besojnë burrave dhe jo grave.

Pluralizmi politik sot në Kosovë e ka obligim që në udhëheqjet lokale/komunale drejtoritë të ndahen 50/50 gjysma gra gjysma burra, kuvendet komunale e kanë të detyrueshme plotësimin e kuotës gjinore. E kjo, nuk është një ndihmesë morale por, një vendim ligjor e që askush nuk ia „dhuron“ pozitën por, se ato e fitojnë me meritë nëpërmjet përkushtimit të tyre, anipse prapë në vendin tonë nuk është arritur kjo përqindje.

Gratë duhet të jenë pjesë e politikës/vendimmarrjes sepse përbëjnë gjysmën e shoqërisë, janë të barabarta me burrat për nga ditura dhe duhet të jenë të tilla edhe me mundësitë e hapësirave punuese. Hipokrizi mund të quhet çdo diskriminim e sidomos ai gjinor, duke marrë parasysh që kontributi i të dy palëve në mënyrë të barabartë lind një shoqëri të shëndosh dhe të arsimuar.

Ndërkaq kur shohim kontekstin e shkollimit të gruas, para vetes na del fakti se gruaja e përgatitur ndërton një familje të edukuar dhe e kundërta.Prandaj, formula është e thjeshtë duke shumëfishuar gra të edukuara shumëfishojmë familje të edukuara dhe si rezultat ne përfundojmë një shoqëri e edukuar, teksa duhet ta dijmë se termi edukatë tejkalon termin shkollim.

Populli jonë duhet të edukohet, pa dallim gjinie burrë apo grua, duke e lënë anash vajin për luftën tash duhet të vazhdojmë ta shfrytëzojmë paqen.

Nga të gjitha pozitat prestigjioze nga profesoreshë, doktoreshë, gjykatëse, deputete e pozita të ndryshme gruaja në Kosovë arriti edhe në pozitën supreme që është Presidenca. Andaj, mund të konkludojmë se gruaja në vendin tonë kaloj nga të qenurit „shërbëtore“ në luftë në Presidente në paqe.
Mesazh për gruan kosovare: Të shkollohet , të mos nenshtrohet, të jenë të edukuara, të jenë të vendosura (drejtë qëllimeve të tyre), të mos viktimizohen, të jenë të pavarura mbi të gjitha të jenë në shërbim të vendit e familjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova synon ta rrisë numrin e medaljeve në xhudo në…