Gruaja që u gjet e vdekur në Gjakovë dyshohet se bëri vetëvrasje me armën e burrit
Një rast i rëndë ka ndodhur të martën në familjen Luzha në Gjakovë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Ajo dyshohet se ka bërë vetëvrasje me armën e bashkëshortit të saj, raporton Sinjali.
Sot u raportua se e ndjera u gjet pa shenja jete para disa orësh dhe se vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes.
Viktima dyshohet se vetëvrasjen e ka kryer me armën e bashkëshortit të saj, mbi të cilin tani rëndojnë dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Sinjali raportoi se e ndjera është: Nevzete Luzha, nëna e Albertit dhe Armendit, dy djemve të mitur të vrarë në luftën e fundit, në Kosovë.
Pas ngjarjes tragjike që nënës Nevzete i kishte ndodh në luftë, ajo kishte vendosur ta adoptonte një fëmijë të gjinisë mashkullore.
Por, me t’u rritur, djali i saj jobiologjik – siç bëhet e ditur, e kishte dhunuar fizikisht, nënën e tij adoptuese.
Sinjali mëson se për të dyshuarin ka disa raste të hapura për dhunë ndaj tashmë të ndjerës Nevzete Luzha.
Trupi i kësaj të fundit që u gjet pa shenja jeta sot rreth orës 12:25 është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rastin e ka konfirmuar edhe policia rajonale e Gjakovës.
“Rreth orës 12:25, viktima femër e lindur në vitin 1949, është gjetur pa shenja jete në rrugën “UÇK” në Gjakovë, në banesën e saj (ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e saj)”, thuhet në njoftim.
Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa pas mbledhjes së informacioneve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar “Hetim mbi vdekjen”.