Gruaja që u bë vetvetja

18 mars 2018 | 12:15

Feride Papleka

Retrospektivë e një historie

Razë Syla është një nga gratë e shquara shqiptare, flamurtare e emancipimit në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ajo e ndërtoi imazhin e vet si heroinë në një mënyrë të re marrëdhëniesh me botën, duke e vendosur ekzistencën e saj në një horizont që kërkoi sakrifica të mëdha. Ajo fitoi lirinë e vet, duke vënë në vend një padrejtësi shekullore dhe hapi rrugën për qindra gra e vajza të tjera në Malësitë e Shqipërisë, ku ligji për gruan ka qenë i rreptë. Sigurisht shoqëria jonë e hutuar nga politikat demagogjike, merret fare pak me njerëzit, të cilët në rrjedhat e përpjekjeve për të ecur përpara, kanë ndikuar fuqimisht për të shkruar historinë shpirtërore dhe morale të kombit. Këtë mospërfillje Raza e mbulon me vështrimin e saj melankolik që ruan përherë mirësi. Lufta për të qenë vetvetja i ka dhënë asaj siguri dhe mister. Gjithçka te ajo: pamja, fjala, zëri kanë një harmoni që nuk është e rastësishme. Përherë e qeshur, me sy plot dritë që flasin për një të vërtetë që shndërrohet në një lëvizje dhe frymëzim për breza të tërë, ajo pohon me thjeshtësi se nuk ka bërë asgjë të veçantë.

***
Por si ndodhi që një vajzë, e cila i përkiste një shoqërie patriarkale, të shfaqte zjarrin shekullor të gruas shqiptare për dritë dhe përparim? Si eci Raza në rrugën e mundimshme mes një opinioni që ia mohonte gruas lirinë? Si ia doli ajo të afirmohej e të bëhej vetvetja? Përgjigjja e këtyre pyetjeve nuk është aq e lehtë. Duhet të bësh një kërkim të gjatë e të nxjerrësh referencat e një paralelizmi historik, duke filluar nga Teuta, mbretëresha ilire që u shqua si një personalitet i fortë dhe i paepur ndaj qëllimeve pushtuese të fqinjëve e deri te Mamica Kastrioti që luftoi me guxim në ushtrinë mbrojtëse kundër hordhive pushtuese osmane, në një kohë kur gratë nuk ishin parë në formacionet luftarake, për të vazhduar me trimëreshën Shotë Galica që u fut në çetë si luftëtare me Azem Galicën dhe pas plagëve të rënda që ia afruan vdekjen Azemit, mori në duar drejtimin e çetës; apo me vajzat partizane që u rreshtuan në Brigadat tona Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ato që dhanë jetën për triumfin e idealit të lirisë si heroinat Margarita Tutulani, Zonja Çurre, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima e të tjera, apo Marta dhe Prenda Tarazhi që u martirizuan si luftëtare të vendosura për përhapjen e ideve të reja kundër elementëve konsevatorë dhe kanunit e shumë të tjera që kanë mbetur heroina të heshtura.

***
Raza u lind më 1949, në Micoj, një fshat malor në rrethin e Pukës. Ajo ishte e katërta ndër pesë vajzat e Sylë Hysenit. Duke folur për fëmijërinë, Raza tregon se mban mbi supe vite të mbushura me druajtje në një familje të madhe patriarkale që si të gjitha vatrat shqiptare, drejtohej në mënyrë autoritare nga burrat. Për kureshtje, para se të ndahej ajo familje e madhe, kur Raza ishte ende fëmijë, kishte rreth dyzet vetë. Përfytyrimi i njeriut jugor për atë vend është bora dhe pyjet, por duhet të kujtojmë se në ato vise të thella e të madhërishme për t’u vizituar, mbaheshin gjallë edhe ligjet e mbrapshta që e konsideronin vajzën si plaçkë të shtëpisë. Ajo shkonte në shkollë me fëmijët e tjerë të familjes, kishte gëzime të pakta, të cilat përmblidheshin në ëndrra të thjeshta: të vazhdonte shkollën, të vishej si mësuesja e fshatit që ishte qytetare dhe të mos i mbulonte flokët me shami. Por ëndrrat iu prenë në mes pa mëshirë; sa mbaroi filloren, asaj i lidhën shaminë e zezë dhe nuk e lanë të vazhdonte shkollën më tej. I thanë se kishte ardhur koha të mbyllej brenda e të përgatiste pajën. “Fillimisht nuk ndjeva mëri, por m’u duk një gjë fare pa kuptim”, thotë ajo.

***
Kanë kaluar vite që atëherë. Ajo ishte e mitur për të kundërshtuar, por megjithatë në zemër iu shfaq një mospajtim i heshtur dhe një ditë prej ditësh mori guximin dhe e pyeti të atin se përse nuk e vazhdonte shkollën si djemtë e familjes. Madje dy nga ata i patën çuar në konvikt. Por i ati iu shmang përgjigjes, sepse ai e kishte fejuar atë që në djep si shumë vajza të tjera në malësi. Ajo e mori vesh këtë gjë nga një moshatare e lagjes, e cila nuk kishte pasur fatin e zi të fejohej si ajo.
Fije të shumta mund ta mbanin Razën të mbërthyer pas traditës së trashëguar. Mendjen e saj mund ta paralizonte edhe ndonjë ide fetare, e hedhur nga ata që përpjekjen për të qenë vetvetja, e mallkonin si fyerje ndaj Zotit. Por vajza e re me sa dukej ishte gatuar për një tjetër kohë. Ajo nuk dëgjoi zëra të mbinatyrshëm si Zhanë d’Arka, por pikërisht duke qenë bareshë si Zhana, vendosi heshturazi të mos nënshtrohej. Dhe kështu në shpirtin e saj nisi të mugullonte një mosbindje. Ajo, sidoqoftë, përgatiste sendet e pajës që ishin më shumë dhurata për të tjerët dhe njëkohësisht shkonte bareshë me dhi, duke menduar e vrarë në shpirt, si do të shpëtonte nga ajo “burgosje”. Ndonjëherë edhe punonte në arë, ngaqë familja nuk kishte krahë pune. Shamia e ulur mbi ballë, ia mbulonte flokët, por edhe bukurinë e vashërisë. Kur i thua kështu, ajo e mohon me një buzëqeshje të përmbajtur dhe shpjegon se ideja për bukurinë nuk ekzistonte atëherë, ngaqë edhe pasqyrë ku ta shihte fytyrën nuk kishte. Por e kuptonte se shamia e zezë nuk ishte gjë e mirë, sidomos kur ishte e detyruar ta mbante edhe në mes të vapës. Pra, në moshën e lojërave, atë e thërriste puna. Ishte si një ritual: puna jashtë, dhitë që ruante dhe puna brenda me shpinë të kërrusur. Netëve ajo derdhte lot nga lodhja e dëshpërimi.

***
Kur mbaron së treguari për fëmijërinë dhe fillimet e adoleshencës, që natyrisht për të dhe brezin e saj të Malësive të thella janë vetëm terma, ajo pushon një çast e menduar dhe ndalet te ngjarja që një ditë ia kthjelloi rrjedhën e jetës. Ajo ndeu sahatin e brendshëm që t’i trokiste fort e ta mësonte se nuk duhej t’i nënshtrohej fatit të paracaktuar nga të tjerët. Po si? E fshehta që i rritej në zemër, ishte si një mal i lartë për ta kapërcyer. Sa guxim, sa vendosmëri, sa vullnet i është dashur për të hapur rrugën e saj të re! Ajo fitoi një qetësi të jashtme të atillë, sa dukej e shqetësuar vetëm për pajën që përgatiste dhe për punët e shtëpisë. Një vajzë që ëndërronte fshehtas si të shpëtonte shpirtin, doemos që do të harrohej në punë. Jeta kalonte pa u ndier. Ajo nuk kish kohë të ekzaltohej nga bukuria e moshës rinore, nuk kishte kohë ta kalonte ditën duke ëndërruar.

***
Atë ditë që pati marrë guximin dhe e pati pyetur të atin përse nuk e vazhdonte shkollën, në një çast në zemrën e saj kishte ndier të çelte edhe një dëshirë e beftë për t’u bërë mjeke. Ajo nuk e kujton nga i kishte ardhur kjo ide, janë shumë vite në mes. Mbase një vizitë mjekësore, mbase një imazh i regjistruar në tru i bluzave të bardha në spitalin e qytetit. Ku i dihet? Sot njëra prej vajzave të saj, Alketa, është mjeke. Raza e sheh të realizuar te vajza dëshirën e saj që u venit dikur. I ati nuk iu përgjigj atëherë pyetjes së saj dhe ajo nuk mund të ngulte këmbë. Autoriteti i gjinisë mashkullore ishte i fortë. Raza për një gjë është e sigurt në atë që thotë. Ajo s’arriti t’i kërkonte dot të atit as arsyen përse e kishin fejuar, por as që të prishte fejesën. E donte të atin dhe zemra e saj e re trembej se mos futej në gjak. Nuk donte që ta shihte atë të vdekur. E vendosi, do ta braktiste burrin pas martese. Donte që ta mbante mbi vete tërë peshën e përgjegjësisë. Tani kishte arritur moshën kur në gjykim merrte pjesë arsyeja. Megjithatë ajo nuk i dinte pasojat që mund të sjellë një martesë. Nuk kishte informacion. Për burrin me të cilin e kishin fejuar, ajo vetëm kishte dëgjuar të flitej, nuk e njihte. Mëria e saj ishte kundër atij qëndrimi poshtërues që po i rrëmbente lirinë.

***
Pra, ajo u martua, shkoi nuse me duvak të kuq. Me fytyrë të mbuluar që mos ta shihte as rrugën nga shkonte dhe as njerëzit. Sa kishte mbushur gjashtëmbëdhjetë pranvera. Ishte bërë një vajzë e zgjuar dhe e bukur, shtathedhur, me fytyrë si hëna, me sy të mëdhenj e plot shkëlqim, me flokë të gjatë. Mban mend qarjet dhe ulërimat. Me hidhërimin e saj për çudi, ishte bashkuar gjithçka rreth e qark. Dhitë blegërinin, qentë lehnin. Ishte dhjetor i vitit 1967. Atë e shoqëronin disa burra sipas zakonit. Dhe hyri në shtëpinë e burrit, si të mbyllej në një kafaz pa dritë. Nusja e re qysh në fillim u përball me një realitet të ashpër, por kishte një besim të fshehtë se do t’ia dilte mbanë. Në gjoks vazhdonte të gatuhej një mision shpëtimi. Sa kaluan ditët e para, ajo i tha burrit se zemra e saj ishte e ftohtë, nuk e donte. Asgjë nuk i bashkonte. “Në asgjë nuk kishte një fije harmoni në atë lidhje, baza e së cilës ishin thjesht ca para”, thotë Raza. Por ai nuk e kuptoi. E si mund ta kuptonte? Ai e kishte blerë. Me pronën të lidh vetëm interesi. Që atë çast mendja e saj punoi si të gjente mënyrën për t’u arratisur. Dëshirat e saj të dëlira qenë zbukuruar në shpirtin e saj dhe kishin marrë formën e një herezie. Ajo po e shpikte jetën e vet. Ishte gati të vdiste.

***
Vetëm kur kaluan katër muaj nga dita e martesës, Raza me mundime të pallogaritshme u arratis nga shtëpia. Ky veprim nuk qe i lehtë, sepse atë nisën ta ruanin kur e mësuan qëndrimin e saj. Ishte një mesditë maji e bukur dhe e frikshme. Nusja e re përpiqej të tregohej e qetë. U kthye në shtëpi, së bashku me njerëzit e tjerë të familjes që punonin në ca ara të koopertivës aty rrotull dhe u ndal në kasollen e bagëtive. Nisi të pastronte që të humbiste gjurmët dhe u maskua me shpejtësi. Rrobat i pati gjetur para disa ditësh në një skutë të stallës : tuta, xhaketë, bastun e kapele. Si të ishin lënë enkas për arratisjen e saj! I veshi sipër rrobave të saj dhe vari në sup një trastë me tall. Edhe fytyrën e ngjeu me blozë, se pamja mund ta tradhtonte. Dhe pas disa minutash doli në rrugë si një lypës i katundeve. Ky është vërtet një nga skenarët më të çuditshëm që mund të dëgjosh e që Razës ia mësuan rrethanat. Ata që e panë, e përshëndetën si një “të panjohur”. Ajo eci në këmbë rreth dy orë e ca. Nuk kishte frikë, por zemra i rrihte fort. Kishte një besim të vogël se të atin, megjithëse ishte ai që e kishte shitur, do ta kishte me vete. Pra dy-tri ditësh ai kishte ardhur ta merrte për një festë fetare, por “dhëndri” nuk kishte pranuar. I ati që nuk e merrte vesh arsyen, ishte zemëruar. Ajo e pati dëgjuar duke thënë: “Vajza ime është e egër, ke për ta parë” dhe i qe ngrohur zemra. E kishte përcjellë atë ditë të atin gjer në fund të shtegut. Në sytë e tij pati vëre re se ai ia kishte kuptuar mërzinë. Duke u ndarë ajo i pati thënë: “Po vdiqa mos ecni (ejani) të më varrosni, por po qeshë gjallë do të vij së shpejti”. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Camp Nou” nga ora 16:15 zhvillohet ndeshja në mes…