Grubi: Kapitulli “Përtej Ohrit”, sfida ynë e përbashkët e pas vitit 2021
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ishte pjesë e debatit shkencor të organizuar nga ana e Universitetit “Nënë Tereza”, ngjarje kjo e organizuar në kuadër të programit për për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në fjalimin e tij, Grubi ka theksuar se Universiteti “Nënë Tereza” është arritje e padiskutueshme që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Ai ka rikujtuar vështirësitë e themelimit dhe legalizimit të Universitetit të Tetovës duke e krahasuar me themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” i cili kishte përkrahje shumë të gjërë. Sipas Grubit, kjo gjë është rezultat i ndikimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, nënshkrimi i së cilës ka etabluar vlerat e larta shoqërore të barazisë dhe bashkëjetesës paqësore.
“Unë kam patur fatin siç ka patur fatin edhe Dr. Pollozhani këtu, të jem votues i ligjit për themelimin e Universitetit Nënë Tereza duke qenë deputet në Kuvendin tonë dhe unë me përgjegjësi të plotë ju them se Universiteti Nënë Tereza është evolucioni në vete i Marrëveshjes paqësore të Ohrit. U themelua pa asnjë britmë, pa asnjë kritikë, pa asnjë zë oponence në Kuvend po në mënyrën më të mirë dhe më të qetë të mundshme me përkrahje shumë të gjërë Universiteti Nënë Tereza dhe ja ku jemi sot.
Funksionon, çdo dit e më tepër po përforcohet, po përpiqet të arrin majat akademike në të cilën do të duhet ta ndihmojmë dhe ne, po nuk ka përfunduar këtu proçesi sepse kemi obligim edhe ne si Qeveri por edhe menaxhmenti i Universitetit Nënë Tereza që në fund ta rrumbullakësojmë procesin me objekt dinjitoz të cilin e meriton ky Universitet si mishërim i evolucionit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.” – deklaroi Grubi.
Mes tjerash, Grubi ka elaboruar programin e larmishëm të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit në të cilin është i angazhuar çdo institucion që është rezultat i drejtëpërdrejtë i Marrëveshjes së Ohrit apo që është i ndërlidhur me të. Ai poashtu shpjegoi dhe domethënien e motos “Përtej Ohrit” me të cilën është emërtuar shënimi i këtij përvjetori.
“Çfarë ka deri 21-shin ishte deri tek Ohri pas 2021-shit siç e thash kush e ka guximin le të na bashkangjitet se do fillojmë kapitullin e ri të “Përtej Ohrit”. Aty do të na duhet ndihma e gjithësecilit, të gjitha tre Universiteteve të cilat ligjërojnë në gjuhën shqipe këtu në vendin tonë, gjithë botës akademike, gjithë botës së biznesit, gjithë botës politike, sepse do të duhet të ndërtojmë koncepte të reja të cilat ne si komunitet i dytë shumicë bashkë edhe me komunitetin shumicë dhe komunitete të tjera të ndërtojmë të ardhmen e këtij vendi në frymën e Marrëveshjes së Ohrit por të jemi kompatibil me të nesërmen duke qenë shumë të vetëdijshëm me të sotmen në të cilën jetojmë.” – tha Grubi.
Grubi poashtu ka paralajmëruar edhe prezencën e autorit të draftit origjinal të dokumentit të Marrëveshjes së Ohrit, juristit amerikan Paul Williams në evenimentin kryesor të datës 13 Gusht. Në fund, ai ka përgëzuar Rektorin Pollozhani dhe stafin akademik të Universitetit Nënë Tereza që me debatin e sotëm shkencor u bënë pjesë e programit për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit duke i faleminderuar për vëmendjen e kushtuar analitike të periudhës 20 vjeçare të implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.