Grubi në kërkim ndërkombëtar, BDI: Propozuam ligj për mos futjen e “non gratave” në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot

19 dhjetor 2024 | 12:28

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që drejtohet nga Ali Ahemti u përgjigjet akuzave në drejtim të saj pasi ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi është shpallur në kërkim ndërkombëtar për t’u arrestuar dhe futjes së tij në listën e zezë amerikane.

Nëpërmjet një reagimi, BDI-ja ka theksuar se ata qe e akuzojnë sot e kanë bllokuar një propozim të kësaj partie kur ajo ishte në qeverinë e përkohshme deri në maj të këtij viti, i cili parashikonte ndalimin e individëve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe proceset e prokurimit publik.

BDI-ja ka deklaruar se disa aktorë politikë po e shfrytëzojnë situatën për përfitime politike të momentit.

Reagimi i plotë i BDI-së:

Deklaratat e VMRO-DPMNE-së për “rënie të popullaritetit” të BDI-së nuk janë asgjë tjetër veçse një projeksion i pasigurive të tyre.

Po të ishin të sinqertë së paku një herë të vetme, do të pranonin tronditjen që përjetuan këto ditë kur panë sondazhet e tyre të brendshme, të cilat qartazi tregojnë se partnerët e tyre të inxhinieruar shqiptarë janë zhdukur nga harta politike.

Ky është realiteti: sa më shumë të shtypni një popull, aq më shumë rritet qëndrueshmëria dhe rezistenca e tij.

Populli shqiptar ka qëndruar gjithmonë i bashkuar përballë provokimeve, dhe çdo përpjekje për të cenuar dinjitetin e tyre vetëm do të forcojë vendosmërinë për të qëndruar krenarë.

I bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre të reflektojnë mbi retorikën dhe veprimet e tyre përçarëse.

Forca e një shoqërie qëndron tek barazia, drejtësia dhe respekti për të gjitha komunitetet – jo tek përpjekjet për të ulur një komunitet për përfitime politike afatshkurtra.

Shqiptarët do të vazhdojnë të ngrihen mbi këto provokime, siç kanë bërë gjithmonë.

BDI mbetet e palëkundur në misionin e saj për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve si dhe të gjithë qytetarëve duke ndërtuar një Maqedoni të Veriut më të fortë dhe më të bashkuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ndihmëssekretarin amerikan të…