Grubi: Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen më shumë

30 tetor 2022 | 12:30

Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi vlerëson se Kosova duhet të marrë shembullin e shtetit tij në mbylljen e çështjeve të hapura dhe rrugën për të ardhmen evropiane.

Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, derisa shton që ky është përfundimi të cilin e mbështet dhe e pranon Maqedonia e Veriut.

Në një intervistë për KosovaPress, ndër të tjera Grubi flet edhe për nismën e kryeministrit të Shqipërisë që lidhet me akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe ndikimin e Rusisë në Maqedoninë e Veriut.

Grubi thotë se duhet marrë shembull Maqedonia e Veriut në çështjen që kishte me Greqinë dhe Bullgarinë, zgjidhja e së cilave i hapi rrugë vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen… Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin ne e pranojmë”, thotë Grubi.

Ai thekson se Kosova duhet të hap perspektiven e saj për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, derisa shton se e mbështesin për t’i arritur këto aspirata.

“Kosova nuk mund të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, Kosova duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në NATO, duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për këtë ka mbështetjen tonë absolute, pa asnjë dyshim dhe jemi në dispozicion qind për qind të agjendës dhe kauzës të shqiptarëve në Kosovë për t’i arritur këto aspirata duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, prapë them duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut apo me Bullgarinë. Vendimet e vështira sjellin përfitime për qytetarët e Kosovës por edhe për qytetarët e gjithë Ballkanit Perëndimor”, shton ai.

Numri dy në Maqedoninë e Veriut thotë se Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme, madje sipas tij, janë vonuar në këto përpjekje.

Këtu ai përmend edhe nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kërkesën e tij për të hedhur poshtë akuzat për trafikim të organeve, të cilat janë miratuar disa vjet më parë në Këshillin e Evropës në kuadër të raportit të Dick Marty-t.

“Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen shumë më tepër në politikën e jashtme, në veçanti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe të përpjekjeve të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, për liri, drejtësi, barazi, dhe pavarësi në Kosovë si dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ky bashkërendim i aktiviteteve tona është domosdoshmëri dhe vlerësoj që jemi vonë në këto përpjekje dhe do kisha mbështetur iniciativën qoftë ajo të vije nga kryeministri Kurti apo kryeministri Rama, ndërsa neve na kanë mbështetje gjithmonë. Asnjë e keqe Kosovës nuk mund t’i vije nga Shkupi apo Tirana, përkundrazi, do të ketë mbështetjen absolute në çfarëdo qoftë nisme, rajonale, kontinentale apo globale”, thotë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te…