Gruda i PDK-së: Mesazhet e Dejona Mihalit dëshmojnë se LV-ja funksionon si parti-shtet
Koordinatori i PDK-së për drejtësi, Përparim Gruda, ka komentuar mesazhet të cilat i ka publikuar gazeta “Nacionale” në mes të Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit.
Për Grudën, këto mesazhe dëshmojnë se LV-ja funksionon si parti-shtet.
“Mesazhet e publikuara të Dejona Mihajlit zbulojnë një të vërtetë tronditëse: LVV nuk funksionon thjesht si një parti politike, por si një parti-shtet në formën më të pastër të fjalës. Në këtë skemë, organet shtetërore janë shndërruar në marioneta të plota të strukturave partiake, ku vendimet e rëndësishme nuk merren në institucione shtetërore, por në zyrat e partisë”, ka shkruar Gruda në “Facebook”.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Grudës:
Mesazhet e publikuara të Dejona Mihajlit zbulojnë një të vërtetë tronditëse: LVV nuk funksionon thjesht si një parti politike, por si një parti-shtet në formën më të pastër të fjalës. Në këtë skemë, organet shtetërore janë shndërruar në marioneta të plota të strukturave partiake, ku vendimet e rëndësishme nuk merren në institucione shtetërore, por në zyrat e partisë.
Dejona Mihajli, pa asnjë titull zyrtar, i kërkon drejtorit të KEK-ut – i cili duhet të jetë i pavarur dhe jopolitik – të shkojë në selinë e LVV-së për të diskutuar çështje të KEK-ut. Madje, ai duhet të dorëzojë përgjigjet për ministren vetëm pasi ato të kenë kaluar nga dora e Dejonës.
Cili është roli i Dejonës në këtë skemë? Ajo është koordinatore e komiteteve të LVV-së, komitete që po shfaqen si organe paralele me ministritë, duke ushtruar kontroll dhe ndikim të fshehtë mbi çdo vendimmarrje shtetërore. Kjo na rikthen në kujtesë mënyrën si funksiononte shteti në komunizëm.
Enver Hoxha, diktatori që drejtoi Shqipërinë për 41 vite, vetëm për 10 vite ishte në detyrë zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë (1944-1954). Për 31 vitet e tjera deri në vdekjen e tij në 1985, ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror formal, ishte vetëm Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Megjithatë, nga pozicioni i Sekretarit të Partisë së Punës, ai kontrollonte çdo aspekt të jetës në Shqipëri.
Natyrisht, LVV nuk është plotësisht si Partia e Punës, pasi rrënjët e komunizmit janë tharë prej kohësh nga demokracia perëndimore, por logjika mbetet e njëjtë: një parti që vepron si shtet. As Dejona Mihajli nuk është Enver Hoxha, ajo është thjesht një instrument në duart e Albin Kurtit, por modeli i operimit është i njejtë dhe i rrezikshëm.