Gruda i reagon Sallahut: Ai që koordinohet me Radojqiqin kundër veteranëve të UÇK-së s’mund ta njollosë PDK-në
Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në PDK ka reaguar pas deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, i cili e ka krahasuar partinë e drejtuar nga Memli Krasniqi me Listën Serbe për çështjen e vetingut.
Gruda e ka quajtur të turpshme deklaratën e Sallahut, duke thënë se ata që “koordinohen me Radojqiqin për të votuar kundër veteranëve të UÇK-së në Kuvend, nuk mund ta njollosin kurrë PDK-në”.
“Është e turpshme që zëvendësministri i Drejtësisë e krahason PDK-në me Listën Serbe. Zëvendësministri i qeverisë që koordinohet me Radojqiqin për të votuar kundër veteranëve të UÇK-së në Kuvend, nuk mund të njollosë kurrë PDK-në.
PDK-ja e ka ndihmuar procesin e vetingut që nga fillimi dhe ai aktualisht është duke u zhvilluar pikërisht sipas propozimit të dhënë nga kryetari Memli Krasniqi, i cili kishte sugjeruar krijimin e një komisioni të veçantë në Kuvend për këtë proces.
Pra, PDK-ja e ka përkrahur vetingun nga fillimi, mirëpo PDK-ja nuk mund ta kompensojë mungesën e kompetencës dhe paaftësinë e kësaj qeverie. Dhe, fatkeqësisht, nuk kemi mundur as t’i ndalim në koordinimet e tyre me Radojqiqin”, ka shkruar Gruda “Facebook”.