Gruda: Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë nuk e kupton fjalën ‘veting’
Kandidati për deputet i PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër Ministrinë e Drejtësisë.
Në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë se Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë nuk e kupton fjalën “vetting”.
Ai ka bërë me dije se dikasteri që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu konspektin e “vetting”-ut e ka përzier me mekanizmat e brendshëm të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Komisioni i Venecias në koncept-dokumentin për vetingun ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk e kupton fjalën ‘veting’, e përzien me mekanizmat e brendshëm të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. A ka nevojë me thënë ma shumë për mungesën e seriozitetit të projektit? Është një projekt total jo serioz”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, kjo tregon se sa jo serioze është Ministria e Drejtësisë.
“Mekanizmat e brendshëm janë vlerësimi mujor i gjyqtarëve, vlerësimi i disiplinës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias ka thënë se mekanizmat vlerësues të gjyqtarëve dhe prokurorëve i keni ngatërruar me ‘veting;, e ka thënë këtë në paragraf të qartë, e keni tekstualisht. Kaq për seriozitetin e projektit, nuk kam çka të them më shumë, ka edhe plotë vërejtje të tjera”, ka thënë Gruda, duke treguar programin e PDK-së për këtë fushë.
“Programi i ynë për drejtësi i ka dy komponentë: Mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vënien e drejtësisë në funksion të zhvillimit ekonomik. Kjo është një qasje moderne që e ndjek çdo vend i zhvilluar”, është shprehur Gruda.