Gruda: LVV po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj

27 prill 2025 | 18:27

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda ka reaguar pas dështimi të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda thotë se Kosova po përballet me një bllokadë dhe se një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj.

“Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi. Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre”.

“Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike. Për partitë populiste siç është LVV, Kushtetuta dhe vullneti i lirë politik i deputetëve nuk janë vlera që duhet mbrojtur, por pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar qëllimet e tyre politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kisha Katolike përjeton të dielën e parë pa Papa Françeskun.…