Gruda nënshkruan për Brightonin
Brajan Gruda edhe zyrtarisht është futbollist i Brightonit të Premier Leagues angleze.
Brightoni e zyrtarizoi mesfushorin me tipare sulmuese të mërkurën mbrëma.
Ai është transferuar nga Mainzi i Bundesligës gjermane.
Gruda ka nënshkruar kontratë me skuadrën angleze deri në qershor të vitit 2028.
“Jam shumë i kënaqur që do ta kem mundësinë të punojë me Brajanin. E kam parë ndikimin e tij të madh që ka pasur në Bundesligë në edicionin e kaluar dhe është lojtar që e admiroj shumë. Premier League do të jetë sfidë ndryshe, por mezi pres që ta nis punën me të dhe ta ndihmojë zhvillimin e potencialit të madh që ai e ka”, ka deklaruar trajneri Fabian Hurzeler.
Për shërbimet e Grudës ka folur edhe drejtori teknik i klubit anglez, David Weir.
“Jemi të lumtur që e kemi sjellë Brajanin në klub. Ai ka qenë lojtar të cilin e kemi ndjekur për kohë të gjatë dhe ka luajtur tashmë në nivel të lartë në Bundesligë. Ai është lojtar të cilin Fabiani e njeh mirë dhe mezi pret ta nis punën me të”, është shprehur Weir.
20-vjeçari debutoi me ekipin e parë të Mainzit në edicionin e kaluar, kur luajti në 28 ndeshje në Bundesligë.
Kontribuoi në shpëtimin e klubit nga rënia prej elitës gjermane, me katër gola e tri asistime.
Brajani, babai i të cilit luajti në Kupën e UEFA-s për Vllazninë e Shkodrës, karrierën e nisi te të rinjtë e FC Speyer, para se t’i bashkohej Karlsruherit në vitin 2015, ku i kaloi tri sezone, para se t’i bashkohej Mainzit në vitin 2018.
Në Bundesligë, Gruda debutoi në vitin 2023 si 18-vjeçar kundër Borussia Dortmundit.
Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë nga mosha 15-vjeçare.
Me U21 të Gjermanisë ka shtatë paraqitje. Më herët gjatë këtij viti stërviti me Gjermaninë, para nisjes së Evropianit 2024.
Transferimi i Grudës sipas “BBC-së”, i ka kushtuar Brightonit rreth 30 milionë euro.