Gruevski është arratisur në Hungari përmes Shqipërisë
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur në Hungari përmes territorit të Shqipërisë transmetojnë mediat në Shkup njoftimet nga Tirana, të cilat i referohen një njoftimi të policisë shqiptare.
“Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me hyrjen dhe daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë të shtetasit Nikolla Gruevski, ju informon se: Shtetasi Nikolla Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikolla Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19:35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, transmetojnë mediat njoftimin e policisë shqiptare.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, tashmë në kërkim ndërkombëtar, ka përdorur kartën e identitetit dhe është regjistruar ne sistem vetëm gjatës daljes nga vendi.
Dy ditë më pas ai është shfaqur në Budapest ku ka kërkuar azil politik. Supozohet se nga Mali i Zi ka kaluar në Serbi e më pas në Hungari me ndihmën e diplomatëve hungarezë.
Autoritetet maqedonase ndërkohë kanë thënë se po përgatisin dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e Gruevskit.