Gruevski kërkon azil politik në Hungari
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka bërë me dije se ka kërkuar azil politik në Hungari.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ai ka thënë se “ditëve të fundit kam marrë një numër të madh kërcënimesh për jetën time. Tani jam në Budapest dhe kërkova azil politik nga autoritetet hungareze”.
Gruevski ka theksuar se “do t’i qëndroj besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të heq dorë”.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, ka thënë se ende nuk posedon informacione mbi vendndodhjen e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski për kapjen e të cilit të hënën policia ka lëshuar edhe fletarrestim me kërkesë të Gjykatës Penale të Shkupit.
Gruevski kërkohet që të dërgohet në burg për të vuajtur dënimin prej dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës për blerjen e një makine luksoze qeveritare. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski për gjendjen e krijuar ka fajësuar organet gjyqësore të cilat sipas tij nuk kishin caktuar masën e paraburgimit edhe për faktin se Gruevski po gjykohet edhe për vepra tjera edhe më të rënda.
“Imagjinoni, jepet paraburgim për vjedhje të rënda, ndërsa për vepra të rënda penale nuk ka paraburgim. Policia punon me urdhër të gjykatës. Ekzistojnë masa të sigurisë dhe ato zbatohet në bazë të vendimeve të organeve gjyqësore”, ka thënë Spasovski.
Ai ka deklaruar se policia po mbledh informacione dhe po analizon të gjitha aspektet, por se detajet nuk mund të zbulohen pasi mund të dëmtojnë gjithë procesin.
“Mos prisni që do të vendosim transmetim në shesh dhe së bashku me policinë dhe mediet të realizojmë aksionin. Të gjitha informacionet që i kemi po i analizojmë dhe po punojmë në kapjen e këtij personi, por këtë aksion nuk mundemi ta zhvillojmë së bashku me opinionin, pasi e dëmtojmë procesin”, ka thënë Spasovski, duke mos u ndjerë përgjegjës për moskapjen e Gruevskit.
Policia të hënën në mbrëmje ka bastisur banesën e Nikolla Gruevskit, por nuk e ka gjetur aty ndërsa ka tentuar të hyjë edhe në selinë e VMRO-DPMNE-së, të cilës edhe i takon.
Nga opozita tentimin e policisë për bastisje e kanë vlerësuar si presion politik, ndërsa u kanë bërë thirrje zyrtarëve policorë që në rast se dyshojnë se Gruevski fshihet brenda selisë së partisë, të futen bashkë brenda dhe të kontrollojnë.
“Kjo që po ndodh është grusht ndaj demokracisë. VMRO-ja është nën shtetrrethim të policisë, ndërsa anëtarët e partisë po bastisen dhe po shqetësohen nga ana e zyrtarëve policorë. Asnjëherë në historinë e Maqedonisë së pavarur nuk mbahet mend presion i këtillë ndaj opozitës. Ky është keqpërdorim i policisë, për qëllime partiake. Ky është një sulm ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, dhe që kundërshtojnë politikën kapitulluese dhe anti-maqedonase të Zoran Zaevit”, ka deklaruar Igo Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev në një debat në transmetuesin publik ka thënë se nuk beson se ish-kryeministri Gruevski do të merrte vendimin për t’u arratisur nga vendi, ndërsa ka theksuar qëndrimin e Qeverisë se të gjithë që kanë kryer vepra penale duhet përgjigjen para organeve të drejtësisë, në procese gjyqësore të pavarur dhe pa ndikime politik.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevskit po gjykohet edhe në disa procese tjera gjyqësore për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare. (Rel)