Grumbullohen ‘Dardanët’
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të hënën paradite kishte grumbullimin e parë, derisa stërvitjet do të mbahen edhe nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Përgatitjet do të zhvillohen dy herë në ditë, derisa gjatë fundjavës, “Dardanët” do të kenë dy ndeshje miqësore në udhëtim me Sllovakinë. Stërvitja e parë ka qenë më shumë fizike, derisa me kalimin e ditëve do të shtohet edhe intensiteti.
I vetmi që mungoi ishte Arian Qallaku, për arsye dëmtimi, kurse Dardan Kapiti, Atik Koshi dhe Meriton Ismaili ndodhen me Kosovën U-20, në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Portugali.
Kosova ndodhet në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. Parakualifikimet për “Eurobasket 2021” do të zhvillohen nga 3 deri më 17 gusht.