Grumbullohen paratë e nevojshme për shërimin e Halil Halilit
Pa kaluar as një javë prej ditës kur kemi kërkuar ndihmën e juaj për kolegun tonë Halil Halili, është realizuar pritshmëria jonë. Janë grumbulluar mbi 100 mijë euro. Të gjitha do t’i bëjmë publike në ditët në vijim.
Javën e kaluar kur e filluam një fushatë për ta ndihmuar kolegun tonë Halil Halili, i cili është në shërim e sipër nga një lloj i kancerit mjaft agresiv, Burkitt Lymphoma, askujt nuk na shkonte mendja as për së afërmi që do të marrim një përgjigje të këtillë, çfarë e morëm prej jush.
Shërimi për sëmundje të tilla është shumë i shtrenjtë, mund të kryhet vetëm jashtë shtetit, prandaj na duhej ndihma e juaj për kolegun tonë. I kërkuam rreth 100 mijë euro, duke llogaritur që rreth 30 mijë do të mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Brenda disa ditëve, të gjithë ju, edhe ti që po e lexon këtë shkrim, i kaluat pritjet tona, duke i deponuar në llogarinë e Halilit, duke sjell donacione cash, duke kontribuar përmes Gofundme, ose duke thirrur në numrat e Valës dhe IPKO-s, mbi 100 mijë euro.
Për këtë arsye e shpallim të mbyllur fushatën për të kërkuar ndihma. Secilin prej jush e falendërojmë për ndihmën e bërë, edhe ju që i kënë dhënë nga 1 euro përmes numrave të telefonit, e edhe ju që keni dhënë shuma më të mëdha përmes xhirollogarive.
Dëshirojmë ta falendërojmë Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, Ambasadorin e Kosovës në Turqi, Avni Spahiun, të cilët u angazhuan shumë në këtë fushatë, për të gjetur adresën më të mirë spitalore në Turqi. Ka shumë gjasa, që falë kësaj ndërhyrje, Halili Halili pjesën më të madhe të tretmanit pa pagesë. Mirëpo, duke e ditur që përvec kemioterapisë, për këto lloj sëmundjesh, mund të vijë në shprehje edhe nevoja për transplant, që kushton shumë, dhe që nuk e dimë nëse do të mbulohen me marrëveshjen aktuale të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë. Për këtë arsye ne do t’i menaxhojmë ndihmat që ju i keni dhënë, deri në fund të procesit të shërimit të Halilit. Në rast se nuk do të këtë nevojë për transplant, ose në rast se mbulohen shpenzimet edhe për transplant, nga dy ministritë, ajo turke dhe ajo e Kosovës, ne do t’i bëjmë publike të gjitha të hyrat nga ndihmat dhe të njëjtat do t’i adresojmë pas konsultave me donatorët, ose edhe me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës./ Gazeta Express