Grumbullohet Kosova, gati për kualifikimet e ‘EuroVolley 2021’
Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll te vajzat, nga sot do të grumbullohet në Istog, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2021.
Volejbollistet e drejtuara nga Lorik Ilazi, para nisjes për kampin që do të organizohet në Istog, sot janë pritur nga drejtuesit e Federatës, anëtarët e bordit Abedin Mehani, Valon Xhafaj e Dibran Kastrati, të cilët u kanë uruar sukses në misionin e radhës.
Përzgjedhësi Lorik Ilazi i ka njoftuar edhe njëherë me programin e kampit përgatitor në fazën e parë në Istog, e me mundësinë që pastaj të vazhdojnë edhe jashtë vendit.
Kosova gjendet në grup me Finlandën, Sllovakinë dhe Malin e Zi. Në shtabin teknik, Kosovës i është bashkuar edhe ish-volejbollistja e kombëtares së Shqipërisë, Amarilda Prenga, e cila angazhimin te Kosova e sheh si mision të veçantë.
Kualifikimet do të jenë të veçanta edhe për kapitenen Adelajda Prenga, e cila për herë të parë do ta ketë motrën e saj Amarildën si trajnere. Vlerë e shtuar te kombëtarja do të jenë edhe dy volejbollistet Venera e Zyla Kadriu, që luajnë në Universitetin e Northwood në SHBA.
Në këtë grumbullim, nuk munguan edhe emrat e ri në listën e të ftuarave nga Lorik Ilazi, mes së cilave edhe Lorina Mehmeti, Loresa Avdyli e Leonita Hoxha. Ndeshjet e fazës së parë të grupeve, zhvillohen në Podgoricë të Malit të Zi nga 7 deri më 9 Maj, kurse ato të fazës së dytë zhvillohen në qytetin Nitra në Sllovaki, nga 13 deri më 15 Maj 2021.