Grupet e Vlorës, rindizet hakmarrja

29 dhjetor 2024 | 21:23

Pas një vale të rëndë kriminaliteti, me zhdukje e vrasje mafioze, dy vitet e fundit Vlora kishte rënë në qetësi.

Situata e rendit u duk sikur u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2023, gjatë të cilit u regjistrua vetëm një vrasje, pa çka se disa atentate dështuan. Por 2024-a nisi ndryshe atje. Vrasja e Gëzim Sinomatajt, më 7 janar, duket sikur ndezi fitilin e një dinamiti që në forma të ndryshme shpërtheu gjatë dhjetorit.

Shumë pista u ngritën për atë ngjarje, por dita ditës ranë rrugës duke lënë si kryesore vetëm një prej. Larjen e hesapeve mes grupeve rivale. E duket se vrasja e djalit të Sokol Sinomatajt ishte vetëm ngjarja e radhës, pas 3 të tjerave që kishin të njëjtin motiv, të njëjtët porositës e madje edhe të njëjtën kategori vrasësish.

Të gjitha dyshohet se lidhen me sasi të ndryshme droge të grabitura në Spanjë e Belgjikë. Pra, hesape që prishen jashtë Shqipërisë dhe që lahen këtu.

Atentati ndaj Armando Sulejmanit, ku u vranë kunati dhe shoku i tij, vrasja e Bledar Birçajt, Delon Troqes, tentativa për të vrarë skafistin Romeo Meçaj, por edhe vrasja me snajper e Gëzim Sinomatajt, duket se kanë si emërues të përbashkët lëndët narkotike.

Por pas ekzekutimit me snajper të Gëzim Sinomatajt, u rindez një hakmarrje e re, me protagonistë të vjetër.

Brenda 3 javësh, tri ngjarje kriminale ndodhën në Vlorë e Tiranë, të cilat po hetohen si të lidhura me njëra-tjetrën dhe që duket se kanë të njëjtin motiv. Tashmë, dinamiti i ndezur në fillim të vitit 2024 ka shpërthyer.

Fillimisht, më 8 dhjetor iu vendos eksploziv lokalit “The Bosss”, tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Restoranti ku ishte vendosur tritoli ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili u ekzekutua me breshëri automatiku më 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”.

Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, më 18 dhjetor, po në Vlorë ndodh një atentat, ku mbeti i plagosur rëndë Kevin Hajrulla, i afërm i Inez Hajrulla dhe pësoi plagë të lehta edhe një person që nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Por krismat e Vlorës u ndjenë edhe në Tiranë 3 ditë më vonë. Një sasi eksplozivi shpërtheu në ballkonin e katit të nëntë të një pallati, ku dyshohet se qëndronte Bernard Sinomataj, xhaxhai i Gëzimit që u vra më 7 janar 2024. Nga ana tjetër, Sinomataj është pjesë e grupit rival të Inez Hajrullait.

Grupi hetimor thotë se të tria këto ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë ndodhur si kundërpërgjigje mes grupeve kriminale.

“Të fortët” që prodhoi viti 1997 në Shqipëri, patën të gjithë një fund. Disa u vranë, disa shkuan në burg e disa janë ende në arrati. Por për disa të tjerë, pasojat ishin edhe më të rënda. Paguan e po paguajnë me jetën e fëmijëve të tyre.

Gëzim Sinomataj ende nuk kishte lindur kur i ati, Sokoli, vendosi t’i bashkohej bandës së Gaxhait në vitin 1997. As kur ai u akuzua për vrasjen e parë në Vlorë, më 24 qershor të vitit 2000. Ndërsa ishte vetëm 2 vjeç, ku i ati, Sokol Sinomataj, bashkë me Armando Sulejmanin, u akuzuan për vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut.

E megjithëse nuk e lidhte asgjë me ato krime, Gëzim Sinomataj, pagoi për to mbrëmjen e 7 janarit. Ai u vu në shënjestrën e snajperit të pozicionuar poshtë ballkonit dhe sapo doli për të pirë cigare, u qëllua për vdekje me një plumb në kokë. Hetimet e para të kryera për këtë ngjarje, i kanë çuar oficerët e Policisë drejt një pistë te vetme. Hakmarrjes. Një hakmarrje që lidhet me babanë e xhaxhain e tij, pasi vetë Gëzimi rezultonte i pastër.

Kur Sokol Sinomataj iu bashkua bandës së Gaxhait në vitin 1997 ishte në moshën e të birit. Por, pavarësisht jetës që kishte bërë, u kujdes që djali të mos ecte në gjurmët e tij. Vendosi ta mbante larg. Gëzimi ishte djali i tij i vetëm, që kishte ardhur në jetë nga një martesë që zgjati pak dhe përfundoi në divorc. Sokol Sinomataj e kishte larguar djalin nga Shqipëria drejt Belgjikës, ku vazhdonte studimet. Ndërsa u kthye në Vlorë për festat e fundvitit. E duket se ku ishte momenti që armiqtë kishin pritur.

Pas një mesazhi që i dhanë vëllezërve Sinomatajt, kur më 3 janar 2022 i hodhën në erë makinën Bernard Sinomataj, kësaj radhë goditja ishte fatale. U vra djali i Sokolit. Fakti që ngjarja ndodhi në të njëjtin vend ku ndodhi dhe shpërthimi, në apartamentin ku jetonte edhe Bernard Sinomataj, pati një lloj pështjellimi edhe për një ngatërresë në objektiv.

Por një sipërmarrje e tillë, një vrasje që mund të ketë kushtuar miliona, e kryer me një snajper me preçizion mjaft të lartë edhe nga distanca më të largëta, duket se nuk bind askënd për një ngatërresë të mundshme.

Sokol Sinomataj u ishte bashkuar krimeve në moshë fare të re dhe burgjet i ka provuar po aq herët. Ai sot është 46 vjeç, por ata pak njerëz që e njohin, kanë të fiksuar imazhin e një 21-vjeçari, kur ishte i ulur në bankën e të akuzuarve, si pjesë e bandës kriminale ku bënte pjesë.

Ai mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të birit më 9 janar, nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga Policia nga burgu i Fushë – Krujës, ku vuante dënimin e deri në kthim. Shumë pak e dinin që ai ndodhej në burg. Arrestimi i tij në vitin 2023 në Belgjikë, ashtu edhe ekstradimi i tij në Shqipëri, kishin kaluar në heshtje.

Në kohën kur u vra i biri, Sinomataj ishte drejt përfundimit të dënimit, por falë amnistisë e la qelinë edhe më shpejt nga ç’pritej.

Por lirinë e shijoi vetëm disa orë, pasi doli nga burgu më 24 prill 2024. Sapo shkoi në Vlorë, ai u arrestua sërish, teksa ishte në shoqërinë e të vëllait. Ndaj tij kishte një urdhër arresti nga drejtësia italiane, që e kishte dënuar me 12 vjet, 5 muaj e 26 ditë burgim, për organizatë kriminale e trafik ilegal emigrantësh.

Më 4 qershor 2024 ai u ekstradua në Itali, por atje u lirua shumë shpejt, pasi pjesën më të madhe të dënimit e kishte kryer dhe gjykata vendosi që të hetohej në gjendje të lirë. Pra sot, me një pamje krejt tjetër nga ajo në sallën e gjyqit si pjesë e grupit të “Gaxhait”, Sokol Sinomataj është i lirë. Ndërsa hakmarrja në Shqipëri po vazhdon. Historia e tij shtrihet në dy kohë. Atëherë kur hetoje për krimet e ’97-ës dhe sot për përplasjet e reja që duket se lidhen me lëndët narkotike dhe larjen e hesapeve.

Në një kohë anarkie siç ishte viti 1997, armatosja e shoqërisë e diktati i rrugës përballë ligjit prodhuan aq shumë krime, disa prej të cilave edhe sot vijojnë të jenë pa autor. Në vitin 1997, krimi i vrasjes arriti shifrën maksimale që ishte 50 për qind e kriminalitetit vjetor. Ndodhën 1542 vrasje. Një shifër e tillë nuk ishte regjistruar asnjëherë. Por qyteti i Vlorës dukej më i egërsuari në atë kohë. Tërheqja e forcave të Policisë, krijoi kushte të favorshme për krijimin e grupeve kriminale. Bashkë me qytetarët që u ngritën në protesta me sloganin “duam paret tona”, në sipërfaqe dolën edhe gangsterë të të gjitha llojeve. Që nga banditët e rrugës, rrëmbyesit e pengjeve, vrasësit, gjobëvënësit. Ata gjetën terren të përshtatshëm në Vlorë, që për shumë arsye u kthye në një fushëbeteje të grupeve kriminale me natyrë mafioze. Aty u krijuan aleancat e para që patën bazën për krimin e organizuar. Aty nisën të dalin “të fortët” e parë, siç oshte Zani Caushi dhe Gazmend Brraka, i njohur si Gaxhai.

Duke shfrytëzuar “Komitetin e Shpëtimit Publik”, të krijuar me idenë e ruajtjes së rendit dhe qetësisë, bandat kriminale ndanë zonat e influencës duke vendosur pushtetin e tyre dhe projektuan planet për krime.

Grupi i drejtuar nga Gaxhai jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. Gazmend Brraka, së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, në mars të vitit 1997 krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait. Anëtarët e kësaj bande, përveç Gazmend Brrakës, ishin edhe Alfred Nebiu, i njohur ndryshe si “Kakami”, Robert Boraku, Armando Sulejmani, Sokol Sinomataj, Fredi Mertiri e Gazmend Nebiu.

Banda rivale me grupin e Gaxhait ishte Banda e Çoles. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zani Caushin, po nuk ia arriti.

Sokol Sinomataj, i njohur me nofkën “Buzderri”, ishte akuzuar nga drejtësia si një prej pjesëtarëve aktivë të bandës. Në mars të vitit 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm për Gazmend Brrakën, ndërsa të njëjtë masë dënimi kërkoi edhe për 4 pjesëtarët e grupit të tij Armando Sulejmani, Sokol Sinomatajn, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiun. Ata akuzoheshin për kryerjen e disa lloje krimesh gjatë trazirave të vitit 1997 në Vlorë. Gjatë leximit të pretencës së prokurorisë, u përmendën 5 vrasje, si dhe vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të një polici dhe vjedhjes me dhunë. Akuzat e ngritura për bandën e Gaxhait ishin: “Krijim i bandave dhe organizatave kriminale”, “Kryerja e krimeve nëpërmjet organizatave dhe bandave kriminale”, “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, “Armëmbajtje pa leje”, “Vrasje me paramendim”, si dhe “vjedhje me dhunë”, vepra këto të kryera në vitin 1997. Ata akuzohen për vrasjen e Sadik Kurtit, Avdul Bajramit, Arben Latifit, Gjergji Cukallës, Zyni Harunit dhe policit Viron Rrapaj.

Më 24 qershor të vitit 2000, një krim për hesapet e vitit 1997 ndodh në lagjen “Skelë”, të Vlorës. Sokol Sinomataj qëllon me breshëri kallashnikovi drejt kundërshtarit të tij, por plumbat godasin dhe lënë të vdekur një kalimtar e plagosin 2 të tjerë. Policia përcaktoi si autor të kësaj ngjarje anëtarin e ish-bandës së Gaxhait. Sokol Sinomataj, në atë kohë 27 vjeç, pasi ka zbritur nga makina, ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Sokol Nuhos, që ishte ulur në lokalin “London”. Nuho ka reaguar menjëherë me pistoletë, por dy protagonistët kanë shpëtuar pa dëmtime. Por 150 metra më lart, tek posta e Skelës, një plumb kallashnikovi ka goditur një kalimtar të rastit, i cili kalonte aty me biçikletë. Luigj Xhafa, 42 vjeç, nga Vlora, ka gjetur vdekjen, i goditur nga një plumb në anën e djathtë të kraharorit. Sipas dëshmive të para që u mblodhën në vendngjarje, rezultonte se Sokol Sinomataj ishte larguar në drejtim të Radhimës, ku dhe u strehua në një nga vilat e plazhit. Ai u rrethua nga forca të shumta të policisë dhe të FNSH-së. Për tre orë me radhë, nuk ka pranuar të dorëzohet, duke kërcënuar se do të hapte zjarr. Por kur kuptoi se nuk kishte asnjë shpresë për t’u larguar, ka vendosur të dorëzohet.

Më 26 qershor të vitit 2002, rreth orës 15:00, në afërsi të ish-lokal “Zyrih”, në lagjen “Skelë” të qytetit të Vlorës, ka mbetur i vrarë me armë zjarri Elton Tato. Në ngjarje u akuzuan se morën pjesë dy ish-anëtarë të bandës së Gaxhait, Sokol Sinomataj, i njohur si “Buzëderri”, dhe Armando Sulejmani, i njohur si “Çipuri”. Ditën e ngjarjes është realizuar edhe këqyrja e një kanali të shkarkimit të ujërave të zeza që kalon përmes lagjes “Pavarësia” dhe derdhet në vendin e quajtur “Aulona” ku është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov me tytë të prerë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomataj, për shkak të një konflikti të mëparshëm me Elton Tato dhe Robert Borakun, u ka lindur mendimi kriminal për vrasjen e tyre.

Ditën e ngjarjes ata kanë pikasur se shtetasit Elton Tato e Robert Boraku ishin duke parë një ndeshje futbolli tek ish- disko “Delfini”. Ky fakt i ka çuar ata në marrjen e vendimit për vrasjen e tyre dhe me këtë rast ata kanë parkuar në afërsi të ish-lokal “Zyrihu”, pranë ish-diskos, në drejtimin veriperëndimor të tij, makinën tip “Toyota”, pronë e Armandos, duke pritur mbarimin e ndeshjes dhe me këtë rast daljen e Elton Tatos e Robert Borakut. Sokol Sinomataj ka qëndruar brenda në makinë, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa Armando Sulejmani ka qëndruar në sheshin përpara lokal “Zyrihu”. Në përfundim të ndeshjes, Eltoni e Roberti kanë dalë nga disko dhe pasi kanë hipur në makinën e tyre, kanë lëvizur para lokal “Zyrihu” me drejtim për nga qendra e qytetit dhe kanë ndaluar përbri trotuarit ku qëndronte në këmbë Armando Sulejmani. Pasi kanë ndaluar automjetin Armando ka nisur të bisedojë me Robertin, i cili ka hapur derën e makinës. Armando u ka kërkuar që të shkonin së bashku deri të makina e tij, e parkuar 30 metër larg vendit ku po zhvillohej biseda. Gjatë ecjes, Elton Tato e Robert Boraku e kanë vendosur në mes Armando Sulejmanin, ndërsa Eltoni ia mbante pistoletën të drejtuar në kokë. Pasi kanë përshkruar një distancë rruge përpara bar “Zyriut”, në momentin që po i afroheshin automjetit “Toyota”, Armando i ka bërë thirrje Sokol Sinomatajt që gjendej brenda në pritje të viktimave , duke i thënë: “O Sokol qëlloi vriti….”. Me këtë thirrje, Sokoli ka dalë menjëherë nga makina dhe me armën tip automatik ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të Eltonit e Robertit, ku si pasojë ka mbetur i vdekur në vend Elton Tato, ndërsa Robert Boraku është larguar me vrap në drejtim të pallateve në anën tjetër të rrugës duke iu shpëtuar plumbave. Pas kësaj Sokoli i ndjekur pas edhe nga Armando është larguar me armë në dorë në drejtim të rrugës ku ndodhet selia e Partisë Demokratike. Pasi kanë përshkruar një distancë të shkurtër autori ka hedhur në një kanal armën, me të cilën realizuan krimin. Për këtë vrasje Armando Sulejmani është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” ndërsa Sokol Sinomataj me 20 vite burgim.

Me një dëmin çerek shekulli të dhënë nga Gjykata e Vlorës dhe me një pretencë për burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, ish – anëtari i bandës së Gaxhait, Sokol Sinomataj, u soll në pranga në duar nga Italia në Aeroportin e Rinasit, më 3 prill të vitit 2009. Sinomataj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Vlorës, me vendimin nr.129, të datës 25 qershor 2003, e kishte shpallur atë fajtor për “vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimi nr.221, të datës 10 shtator 2003, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet burg. Sinomataj ishte arrestuar në Itali më 10 mars të vitit 2004, por ekstradimi i tij u krye 5 vite më pas. Gjatë kësaj kohë ai ka qenë duke u gjykuar në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i akuzuar për veprat penale të kryera nga banda e armatosur, e drejtuar nga Gaxhai. Në pretencën e dhënë atë vit, Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të. Megjithatë, në shkurt të vitit 2014, Gjykata e Lartë vendosi që Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomataj të mos dënohet si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënohet përfundimisht me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, duke u dënuar përfundimisht me 16 vite burgim.

Ky vendim solli lirimin e tyre por edhe zemërimin e kundërshtarëve, duke sjellë përplasje të ashpra e krime të rënda në Vlorë e qytete të tjera. Fillimisht Armando Sulejmani në vitin 2016 e një vit pas tij, duke përfituar nga një leje në Burgun e Peqinit, Sokol Sinomataj arratiset duke thyer lejen në vitin 2017.

Ai u shpall në kërkim më 12 shtator të vityit 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, bashkë me të vëllain Bernardin dhe djalin Gëzimin u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në Belgjikë. Kjo liri e “Çipurit” dhe “Buzëderrit” solli një riorganizim të grupit të vjetër, por që tashmë kishin hesape të reja. Aktivitetin e zhvilluan si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Por vitet e fundit, më i ekspozuar, edhe shënjestër atentatesh, por edhe si autor i dyshuar atentatesh ka qenë Armando Sulejmani. Ndërsa miku i vjetër i Sulejmanit, Sokol Sinomataj u rikthye në burg pas ekstradimit nga Belgjika, në shënjestër të atentatorëve u vu familja e tij.

 PËRPLASJET PËR LARJE HESAPESH

Të gjithë ato grupime gangsterësh apo banda kriminale që u krijuan në vitin 1997, u shpërbënë gjatë viteve në forma të ndryshme. Shumë prej tyre u vranë, të tjerë vijojnë të kalojnë pjesën e mbetur të jetës në burg, disa u vranë pasi përfunduan dënimin e shumë të tjerë jetojnë ende në arrati.

Disa prej atyre që dikur ishin pjesë e bandës së Gaxhait, e vijojnë edhe sot aktivitetin. Të tillë janë Armando Sulejmani e Sokol Sinomataj. E duket se kjo është arsyeja pse hetimet që po kryhen për vrasjen e Gëzim Sinomatajt, mbrëmjen e 7 janarit në Vlorë, janë përqendruar më tepër tek krimet e reja të atij grupimi që ka mbetur nga banda e vjetër. Duket se pista e hakmarrjes e ngritur tashmë nga grupi hetimor, nuk lidhet shumë me ato ngjarje të ndodhura pas ’97 deri në vitin 2002, por me veprimtarinë kriminale që dyshohet të jetë kryer nga Sinomataj pas vitit 2017.

Në skenë kanë dalë emra të rinj.

Përplasjet e vëllezërve Sinomataj kësaj here lidheshin me një personazh që konsiderohej “i forti” i Vlorës. Ai ishte Edison Harizaj, i cili u ekzekutua në Durrës në vitin 2018. Por emri i ri që doli në skenë pas vrasjes së tij ishte Inez Hajrulla, me të cilin vëllezërit Sinomataj i vazhduan përplasjet.

Rreth orës 12 e 30, të datës 17 shkurt 2019, në zonën e “Ujit të ftohtë”, në Vlorë, janë dëgjuar të shtëna armësh. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe në rrugën “Dhimitër Konomi”, tek kthesa kur merr poshtë, me drejtim nga ish-kampi i punëtorëve, në rrugë, ka konstatuar gëzhoja arme zjarri. Gëzhojat vazhdonin për nga kthesa, e cila është në anën lindore të rrugës kryesore që të çon në disa banesa të lagjes, ku është gjetur i shtrirë, i vrarë, një person. Tek oborri i një banese është gjetur një automjet “Volkswagen Passat”, ngjyrë blu, ku në vendin e drejtuesit të mjetit ishte një person tjetër i vrarë. Ndërsa jashtë makinës ndodhej një person i plagosur, i cili u identifikua duke thënë se ishte Armando Sulejmani. Më pas u identifikuan edhe dy viktimat. Personi i vrarë brenda automjetit ishte Arjan Hasanaj, 46 vjeç, ndërsa personi i vrarë në fillim të rrugicës ishte Resti Rexho, 38 vjeç. I plagosuri, Armando Sulejmani u transportua për të marrë ndihmën e parë në Spitalin e Vlorës.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se mjeti “Volkswagen” kishte dëmtime të shumta të shkaktuara nga armë zjarri. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan 78 gëzhoja fishekësh model 56. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe konkretisht njollave të gjakut, që vazhdonin nga mjeti ngjyrë blu për në drejtim të një banese, rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes, është gjetur një armë zjarri, pistoletë me mulli, brenda të cilës kishte 6 gëzhoja me kapsollë të goditur. Kjo armë zjarri ishte e Armando Sulejmanit dhe nisur nga kapsollat e goditura të gëzhojave, rezultonte se ishte përdorur duke shkëmbyer zjarr me vrasësit. Në vijim të veprimeve hetimore është bërë arrestimi i Armando Sulejmanit, i njohur me nofkën “Çipuri”, me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Ai kishte hapur zjarr ndaj autorëve në momentin që ka zbritur nga makina i plagosur, për t’u larguar në drejtim të vendit ku u gjet dhe arma e tij.

Në fshatin Kaninë, në rrugën “Çahire”, në vendin e quajtur “Liqeni 2”, pas ngjarjes është gjetur i djegur automjeti “Mercedez Benz”, brenda të cilit janë gjetur 3 automatikë model 56, të djegur plotësisht. Targat e këtij automjeti rezultonin t’i ishin vjedhur një mjeti autoshkolle në Fier, ndërsa vete makina ishte denoncuar e vjedhur në Tiranë.

Pasi janë parë kamerat e sigurisë, që u administruan si provë materiale, është bërë identifikimi i saktë i lëvizjes së personave objekt sulmi, si dhe u personave të dyshuar si autorë e bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarje. Përmes pamjeve janë përcaktuar oraret e lëvizjeve, si dhe janë nxjerrë koordinatat e sakta të vendeve ku mendohet se këta persona kanë përdorur telefonat për të komunikuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Pasi u analizuan provat, dëshmitë dhe rrethanat e ngjarjes, grupi hetimor doli në përfundimin se objektiv i atentatit kishte qenë Armando Sulejmani, ish-anëtar i bandës së Gaxhait dhe mik i Sokol Sinomatajt. Në këtë atentat ai mori plagë në dorë dhe këmbë. Por para kësaj ngjarje, “Çipuri” i kishte shpëtuar një tjetër atentati, më 23 maj të vitit 2016, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë. Ai u qëllua nga një plumb në krah, në hyrje të pallatit ku banonte. Policia dyshonte se ngjarja kishte ndodhur për larje hesapesh dhe se kishte lidhje me krimet e kryera nga Armando Sulejmani në të shkuarën e tij. Nga ana tjetër Sulejmani, ka pasur konflikte edhe me familjen Llanaj. Nga të dy palët kanë ndodhur ngjarje kriminale, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt, i njohur me nofkën “Robi”. Këtij të fundit iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani. Për këtë ngjarje ai u dënua me 20 vite burg por është liruar në rrethana të paqarta pak kohë më vonë.

Nga ana tjetër, Armando Sulejmani, bashkë me vëllezërit Sokol dhe Spiro, apo i quajtur ndryshe Bernard Sinomataj, kishin qenë të dyshuar edhe për vrasjen e Edison Harizajt. Për vrasjen e “Il Padrinos”, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës, ngjarje e ndodhur në Durrës në nëntor të vitit 2018, janë hetuar e mbajtur nën vëzhgim për disa muaj Sulejmani dhe vëllezërit Sinomataj. Edison Harizaj ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvënjet. Veç të tjerave Harizaj kishte një aleancë edhe me grupin e Selenicës, konkretisht me Ferdinand Llanajn. Po ashtu, Harizaj njihej edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. Edison Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”. Ndërsa pas vrasjes së tij, duket se ishte Inez Hajrulla, njeriu i tij më i afërt, që do të niste planet për hakmarrje. Hajrulla po ashtu u tentua të ekzekutohej, por u shpëtoi dy atentateve, për të cilat u hetua Spiro Sinomataj.

Motra e Armando Sulejmanit, Etleva Elmazi i shpëtoi një atentati me tritol më 23 qershor të vitit 2020. Në mesditë Policia e Vlorës mori një telefonatë se në makinën e llojit ‘BMW X3”, ishte gjetur një pako e dyshimtë. Menjëherë zona u rrethua dhe pas verifikimeve efektivët konstatuar se në makinën, që ishte në emër të motrës së “Çipurit”, ishte vënë eksploziv. Makina u transportua në Komisariatin e Vlorës dhe forcat xheniere bënë të mundur heqjen e pakos. Vetë Elmazi është shprehur se në momentin që ka dalë të marrë makinën e saj, para dhomave të paraburgimit në Vlorë, ku edhe e kishte parkuar, ka parë që një person ka dalë nga poshtë mjetit.

Ky veprim e ka bërë të dyshojë dhe të njoftojë autoritetet, të cilët më pas zbuluan se në makinën e saj ishte vendosur një sasi tritoli. Policia tha se motivi i këtij atentati mendohet të jetë larja e hesapeve dhe të ketë lidhje me të shkuarën e vëllait të saj, Armando Sulejmani. Por nga ana tjetër, Etleva Elmazi është edhe nëna e Daut Elmazit, i cili është vënë në pranga si bashkëpunëtor në atentatin kundër Inez Hajrullës. Bashkë me Elmazin, për sulmin me breshëri ndaj Hajrullës më 10 maj të vitit 2019, u akuzuan edhe Albano Goxhaj nga Fieri, Xheladin Merko, Dejvison Serjani dhe Ardjan Ahmetin, të cilët janë liruar nga burgu. Ndërkohë në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë Fatmir Hyseni, ose siç njihet ndryshe në Vlorë me nofkën “Doqja”. Ky person momentalisht nuk është mundur të arrestohet nga policia e Vlorës, ndërkohë që rezulton në kërkim edhe për vrasjen e mikut të Ervis Martinajt, ish-policit Santiago Malko në Tiranë, krim i organizuar nga klani “Duka”.

Në orën 12 e 59 të datës 10 maj 2021, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë një karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit “BMW X5”, me targë AB 797 CS. Nga verifikimet e menjëhershme rezultoi se ishte vrarë Bledar Birçaj, 38 vjeç. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 29 gëzhoja model 56, ndërsa në automjet kishte 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Teksa ishte futur në sallën e operacionit, në Spitalin e Vlorë ku ndërroi jetë, viktimës iu gjet në brez një pistoletë “Bereta”.

Është bërë administrimi i pamjeve filmike të subjekteve të rrugët që ka ndjekur Bledar Birçaj, nga lokali në pronësi të tij “The Boss”, deri në vendin e ngjarjes dhe po ashtu edhe rrugët që kanë ndjekur autorët për të shkuar drejt vendit ku kryen vrasjen, si dhe rrugët që kanë ndjekur për t’u larguar. Nga verifikimi i pamjeve ka rezultuar se autorët kanë përdorur automjetin “Mercedez C Class” me ngjyrë gri, me xhama të zinj, i cili kishte targa që ishin vjedhur në Fier. Pas ngjarjes makina e autorëve ka lëvizur drejt fshatit Kaninë, nga aty është futur në bypass për të dalë tek varrezat e qytetit e më pas në fshatin Risili. Për herë të fundit është fiksuar nga kamerat e një subjekti në vendin e quajtur “Bishti i malit”, në fshatin Armen.

Ndërsa Bledar Birçaj ka lëvizur nga bar “The boss”, shëtitorja “Lungomare”, ka hyrë në rrugën “Pelivan Leskaj”, më pas në unazën e qytetit dhe afër karburantit në lagjen “Hajro Çakërri” është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët i kanë bërë pritë dhe me pas janë larguar.

Viktima, Bledar Birçaj, ishte pronar i bar “The Boss”, i cili ndodhet në kompleksin “Oslo”, si dhe kishte rreth 2 vite që kishte nisur të ndërtonte një hotel 3-4 katësh në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. Bledar Birçaj kishte bashkëjetuar me një vajzë të quajtur Ornela, e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”. Bashkëshortja e Hysenit ishte larguar nga Shqipëria më 13 prill 2021 në drejtim të Turqisë e më pas në Spanjë. Megjithatë, pasi janë analizuar të gjitha variantet, pista kryesore e hetimit ishte se vrasja e Bledar Birçajt ishte kryer për shkak se ai, së bashku me Delon Troqen dhe persona të tjerë, kishin grabitur një sasi lënde narkotike në Spanjë. Grupi hetimor dyshon se kjo ngjarje është organizuar kundrejt pagesës nga ana e Ferdinand Llanajt, për llogari të një grupi kriminal që vepron në qytetin e Elbasanit.

Më 21 maj të vitit 2021, rreth orës 21 e 40, Policia e Vlorës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Pavarësia”, pranë pallatit të sportit “Flamurtari”. Grupi hetimor shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, që ishte përpara një servisi automjetesh, përballë hyrjes së pallatit të sportit. Në trotuar, para qepenit të servisit, u gjet i shtrirë dhe i gjakosur, pa shenja jetë, 38-vjeçari Delon Troqe. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 11 gëzhoja arme zjarri model 56. Troqe, ishte qëlluar nga 9 plumba, një në kokë dhe plagët e tjera ishin në trup. Viktimës iu gjet me vete edhe një armë zjarri, pistoletë “TT”, me 7 fishekë në krehër dhe një në fole. Rreth orës 21 e 55, nga ana e shërbimeve policore, të angazhuara për kontrollin e territorit pas ngjarjes, në fshatin Sherishtë, në rrugën që lidh bypass-in e qytetit me brendësinë e fshatit, pranë rezervuarit, u gjet i djegur automjeti “Audi”, i zi, brenda të cilit u gjetën të djegura dy armë zjarri automatike. Targat e makinës, që rezultoi se u përkiste autorëve, rezultuan të vjedhura në Fier, ndërsa mjeti kishte ardhur nga Kosova.

Nga këqyrja e pamjeve filmike dallohej automjeti i autorëve, i cili pasi del nga rrugica mbrapa stadiumit “Flamurtari”, afrohet në vendin ku ndodhej Delon Troqe në pjesën e verandës së servisit të tij dhe nga dritarja e pasme e mjetit, krahu i shoferit, hapet zjarr dy herë në drejtim të tij. Më pas makina largohet në rrugën “Pelivan Leskaj”, në drejtim lëvizje për nga unaza e qytetit dhe me pas në drejtim të Kaninës për të shkuar pranë liqenit të fshatit Sherishtë, ku dhe u gjet i djegur.

Grupi hetimor nisi menjëherë verifikimet në lidhje me konfliktet e mundshme që mund të kishte pasur viktima. Rezultoi se, në vitin 2014, më datë 3 maj, Delon Troqe kishte goditur me mjete të forta, Thoma Dumanin në lagjen “Pavarësia” dhe kishte plagosur lehtë djalin e tij, Enkel Dumani. Gjithashtu, ai kishte pasur një konflikt edhe me Alket Hilën, në vitin 2018, ku Hila e kishte goditur Troqen me sende të forta. Në lidhje me verifikimet e kryera për përfshirje të mundshme në aktivitete kriminale të Delon Troqes ka rezultuar se ai ka qenë skafist dhe është marrë me trafikim të lëndëve narkotike. Po ashtu, ai kishte vetëm disa muaj që ishte kthyer nga Spanja, ku kishte qëndruar për një periudhë disa mujore dhe ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale në fushën e narkotikëve. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, Troqe kishte krijuar konflikte në Spanjë si pasojë e këtij aktiviteti kriminal.

Delon Troqe ishte i afërmi i Elvis Troqes, i zhdukur pa gjurmë në Vlorë që prej datës 17 korrik të vitit 2018. Askush nuk ka mësuar asgjë rreth fatit të tij, që nga momenti kur e hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz”. Një ditë pas ngjarjes, nisur nga deklarimet e babait të Troqes, Policia mori në pyetje Inez Hajrullain, por ai ka mohuar përfshirjen e tij. Për këtë ngjarje, ka qenë i dyshuar edhe Edison Harizaj, që u ekzekutua më pas në nëntorin e atij viti.

Një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi pasditen e datës 3 janar të vitit 2022, në afërsi të Poliklinikës në Vlorë. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë makinës së Benard Sinomatajt, i cili prej kohësh kishte parkuar mjetin në lagje, vetë nuk ndodhej në Shqipëri. Mjeti me targa AA 151 MJ, rezultonte në pronësi të një gruaje, por Policia tha se përdorej nga Sinomataj, vëllai i Sokol Sinomatajt, që ndodhej në burg për vrasje.

Ngjarja u konsiderua si një mesazh për vëllezërit Sinomataj, pasi sipas të dhënave autorët ishin në dijeni të faktit që askush nuk do të dëmtohej nga shpërthimi e për më tepër Berndard Sinomataj nuk ndodhej aty. Për shkak të problemeve që kishin, familja Sinomataj ruhej vazhdimisht ndaj ndonjë sulmi të mundshëm dhe kishte vendosur kamera sigurie për të monitoruar gjithçka. Por duket se autorët kanë shfrytëzuar mungesën e vigjilencës pas festës së vitit të ri, për t’i dhënë mesazhin familjes Sinomataj. Duket se ky mesazh i përcjellë në atë kohë, u konkretizua fiks dy vite më pas në një formë shumë më të rëndë. U ekzekutua djali i Sokol Sinomatajt.

Rreth orës 22:00, të datës 7 janar 2024, lagjja “Hajro Cakërri”, pranë Poliklinikës në Vlorës, ishte në errësirë të plotë. Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomataj, i cili kishte ardhur nga Belgjika, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait të tij Bernadrit. Një makinë “BMW” dyshohet se mund të ketë qëndruar e parkuar disa metra më tutje, për disa minuta, me një rreze që shikonte drejt ballkonit të apartamentit të Sinomatajt. Kjo makinë është gjetur e djegur në lagjen “24 Maji” ku po ashtu ishte errësirë, gjë që ngre dyshimet se autorët e kanë njohur zonën dhe kishin llogaritur gjithçka, pasi energjia është rikthyer rreth 10 minuta pas ngjarjes. Në makinë është gjetur një bllok betoni, i vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga rindërtimi i ngjarjes, ekspertët e Policisë besojnë se ky bllok betoni ka shërbyer për të fiksuar snajperin e përdorur në vrasje. Autori, që sipas ekspertëve mund të jetë një profesionist në përdorimin e snajperit, ka pritur momentin kur në ballkonin që kishte marrë në shenjë të dilte objektivi. Nuk është e qartë nëse objektiv i atentatit ka qenë djali apo vëllai i Sokol Sinomatajt, megjithatë një ngjarje me organizim të tillë vështirë se mund të ketë ngatërresë në objektiv. Në momentin që në ballkon ka dalë për të pirë cigare Gëzim Sinomataj, atentatori ka tërhequr këmbëzën, duke e lënë të vdekur në vend me një plumb në kokë.

Përveç predhës së një fisheku 7 milimetër, që ka goditur 22-vjeçarin, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër në vendngjarje. Fakti që zona ka qenë në errësirë, para, gjatë por edhe 10 minuta pas ngjarjes, po verifikohet nga Policia si pjesë e planit të atentatorëve. Edhe pse ditën e ngjarjes, Vlora ka qenë e përfshirë një stuhi, që mund të ketë sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Kamerat e sigurisë në këto kushte nuk kanë fiksuar asgjë. Ndërsa në makinën e djegur të atentatorëve, zjarri nuk ka lënë asnjë provë të vlefshme.

Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor 2024, në një lokal në zonën e Lungomares në Vlorë. Lokali ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale. Restoranti “The Boss” nuk kishte funksionuar prej kohësh, por kishte vetëm pak ditë që ishte rihapur, pasi ishte marrë sërish nga vëllezërit e Bledari Birçajt. Kamerat e lokalit kanë filmuar autorin, i cili ka qenë me maskë. Ai ka ardhur nga ana e lokaleve dhe pasi ka vendosur tritolin me fitil e ka ndezur dhe ka shkaktuar shpërthimin. Më pas është larguar mes pallateve me biçikletë. Restoranti ku ndodhi shpërthimi rezulton në emër Resmie Birçajt, nëna e Bledar Birçajt.

Duke verifikuar kamerat e sigurisë, Policia e Vlorës arriti të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes. I dyshuari u arrestua pak ditë pas ngjarjes. Ai është 28-vjeçari Beqir Selamaj, i cili ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë që në momentin kur ka dalë me biçikletë nga shtëpia e tij në Vlorë. Ai ka qenë i veshur me rroba të zeza. Pasi ka vendosur sasinë e tritolit është larguar sërish me biçikletë, duke u zhvendosur në një zonë tjetër të Vlorës. Gjatë rrugës ka hequr rrobat dhe më pas sërish me biçikletë ka shkuar në një lokal ku ka pirë kafe. Autori i dyshuar rezulton i skeduar nga Policia, kryesisht për vjedhje.

Beqir Selamaj, i njohur edhe me mbiemrin Murati, nuk ka pranuar të tregojë asgjë rreth emrave të personave që e kanë paguar për vendosjen e tritolit në lokalin e familjes Birçaj. Gjatë qëndrimin si i ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, 28-vjeçari është pyetur disa herë për ngjarjen, por përveçse ka pranuar autorësinë, ka refuzuar të tregojë emrat e personave që e kishin porositur. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Rreth orës 21:30, të datës 18 dhjetor 2024, në lagjen “24 Maji”, në Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri 30-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi Armand Spahiu, 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes dhe u gjend mes të shtënave.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë. Personi që mbeti i plagosur rastësisht në ngjarje, nuk kishte rrezik për jetën, ndërsa Hajrulla u transportua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.

Sipas hetimeve të kryera dhe verifikimit të pamjeve filmike, Kevin Hajrulla ka qenë në lëvizje me mjetin e tij në momentin që është qëlluar. Ai po udhëtonte drejt lagjes “Çole” dhe sapo ka ulur pak shpejtësinë në një kthesë, ndaj tij është qëlluar me breshëri nga një automjet “Kia”. Sipas provave të grumbulluara në vendngjarje, dyshohet të jetë qëlluar të paktën 50 herë, nisur dhe nga gëzhojat e gjetura aty. Ndërsa mësohet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me kallashnikov. Ndërsa personi i tretë drejtonte makinën. Pak momente pas krimit, makina është gjetur duke u djegur në fshatin Panaja dhe brenda saj janë gjetur edhe dy automatikët.

Kevin Hajrulla rezulton një person i pa skeduar më parë nga Policia. E megjithëse pa një të shkuar kriminale, emri i tij i ka drejtuar oficerët e grupit hetimor drejt një personazhi tjetër në Vlorë, i cili është i afërm i tij, Inez Hajrulla. Policia po heton edhe në këtë drejtim, duke e konsideruar ngjarjen edhe si një mesazh për Inez Hajrulla, i cili në fakt u ka shpëtuar dy atentateve të organizuara ndaj tij.

Më datë 27 nëntor të vitit 2017, në rrugën “Sulejman Delvina”, në Vlorë, ndodhi edhe atentati i parë ndaj tij. Hajrulla u tentua të eliminohej me eksploziv, që ishte vendosur në makinën “Jeep”, me të cilin ai udhëtonte. Pas shpërthimit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, Policia gjeti në makinë edhe një pistoletë që ai e mbante pa leje.

Dy vite pas këtij atentati, ai u kthye sërish në objekt të një atentati, kësaj here më armë zjarri. Ai u qëllua në Maj të vitit 2019, në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, teksa ishte ulur në një lokal. Autorët e qëlluan nga një automjet në lëvizje. Hajrulla i shpëtoi edhe këtij atentati, ku u plagos gabimisht një person që po pinte kafe në të njëjtin lokal. Makina e atentatorëve u gjet e djegur më pas në fshatin Babicë e Vogël.

Policia pati dyshime në atë kohë se ngjarja mund të ishte porositur nga Bernard Sinomataj, për shkak të përplasjeve që ata kishin. Madje, në gusht të vitit 2023, Policia e Vlorës arrestoi edhe Amarildo Nikollin, nga Shkodra, për të cilin pati dyshime se ishte paguar nga Sinomataj për të qëlluar Inez Hajrullain.

Nikolli u arrestua kur po qarkullonte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje dhe dyshohej se kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë.

Fillimisht çështja ndaj Amarildo Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”. Pas një hetimi disa mujor, Prokuroria e Vlorës shpalli moskompetencë dhe dosja e tij i kaloi për hetime Prokurorisë së Posaçme.

SPAK ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.  Nikolli ka pranuar të flasë para prokurorëve të SPAK, duke treguar sipas tij emrat e disa personazheve të botës së Krimit në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Dëshmia e tij fillimisht është marrë në konsideratë por nga përgjimet ambientale janë përftuar të dhëna që i kanë bërë prokurorët t’i shohin me dyshim deklarimet që ai kishte dhënë më parë, pasi dukej sikur ishte shtyrë nga dikush për të dëshmuar.

Një shpërthim i fortë u dëgjua në Tiranë pak pas mesnate, më 21 dhjetor 2024. Forca të shumta Policia shkuan në vendngjarje, në rrugën “Sadik Petrela”. Shpërthimi kishte ndodhur në ballkonin e një apartamenti në katin e nëntë, në një bllok të ri pallatesh. Pas hetimeve të kryera, oficerët e Policisë arritën në përfundimin se tritoli ishte hedhur aty përmes një droni, që ka shpërthyer bashkë me lëndën plasëse. Policia po bën ekspertizën e disa mbetjeve të dronit për të gjetur gjurmë çka mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë, sipas hetuesve, objektiv i këtij mesazhi me tritol dyshohet se ka qenë Benard Sinomataj, nga Vlora.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë te Vlorës po e kërkoj Bernard Sinomatin për ta marrë në pyetje lidhur me shpërthimin por deri më tani ai nuk është gjetur. Po ashtu Policia nuk ka mundur të gjejë edhe Elena Arzën, e cila kishte marrë me qira apartamentin në rrugën “Sadik Petrela”. Sipas hetimeve, është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë me anë të dokumentacionit. Pronari i banesës në katin e 9-të ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti që në verë dhe se ai personalisht nuk ka asnjë konflikt të hapur çka mund të ketë sjellë këtë ngjarje. Bernard Sinomataj dhe Elena Arza dyshohet se janë larguar vetëm disa minuta pas shpërthimit të eksplozivit.

Ngjarja ndodhi menjëherë pas atentatit ndaj kushëririt të Inez Hajrulla në Vlorë, çka i bëri hetuesit t’i verifikojnë edhe si të lidhura me njëra – tjetrën. Megjithatë ende nuk ka një përfundim konkret.

E duket se ky vit ashtu sikurse nisi, edhe po mbyllet. Gëzim Sinomataj që u vra më 7 janar 2024 ende nuk kishte lindur kur i ati vendosi t’i bashkohej bandës së Gaxhait në vitin 1997. As kur ai u akuzua për vrasjen e parë.

Jetoi larg Shqipërisë dhe pa prezencën e të atit, të cilin më shumë e njohu në Belgjikë pas vitit 2017 derisa ia arrestuan sërish. Por, ndonëse nuk u përfshi askund e nuk kishte dijeni për çfarë kishte bërë babai e xhaxhai i tij, plumbi nuk e kurseu. Vrasja e 22-vjeçarit nuk prishi vetëm qetësinë e Vlorës, por prishi dhe paqen e heshtur mes grupeve kriminale.  E duket se tashmë hakmarrja është rindezur mes grupeve të Vlorës./abcnews.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se Artan Grubi nuk…