Grupet parlamentare të LV-së dhe LDK-së bëjnë thirrje që të votohet Qeveria Kurti
Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së, Fatmire Mulhaxha- Kollqaku, gjatë fjalimi të saj në seancën e Kuvendit që është duke u mbajtur sot iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë formimin e Qeverisë Kurti.
“Ju ftojmë të mbështesni dhe të votoni qeverinë. Ajo që na pret në vitin 2020 është po aq e rëndësishme sepse fitorja e jonë është vetëm mundësia për të bërë ndryshimin që e kemi kërkuar”, ka thënë Mulhaxha- Kollqaku.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë sot po fillojnë një epokë të re, një proces të ri si rezultat i një bashkëpunimi, edhe pse jo i zakonshëm mes një partie të qendrës së djathtë dhe një të majtë, që rezulton nga një bashkëpunim opozitar.
Gashi ka kërkuar edhe votën për qeverinë e re.
“Ky program i koordinuar dhe hartuar në mes të dy partive, është plotësisht i dakorduar dhe faza finale ka qenë ndarja e përgjegjësive, kjo ndarje normalisht se nuk është e lehtë sepse këndvështrimet tona normalisht që reflektojnë, por, sot jemi para jush me një listë për ministra shumë të mirë dhe jemi para jush të kërkojmë besimin dhe votën e juaj. Në emër të LDK-së ju ftoj që ta votoni këtë koalicion dhe të fillojmë një fazë të re”, ka thënë Gashi.