Grupet punuese të LV-së dhe LDK-së diskutuan për sigurinë dhe drejtësinë
Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje është mbajtur të enjten takimi i radhës i grupeve punuese të kësaj lëvizje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në të cilin është diskutuar për sigurinë e jashtme dhe të brendshme, procesin e vetingut, Ligjin për shqyrtimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, trajtimin e krimeve të luftës dhe krijimi i mekanizmave shtetërorë për dokumentim e arkivim të krimeve të luftës në Kosovë, si dhe krijimi i një organi të posaçëm për hetime me qëllim të dekriminalizimit të institucioneve shtetërore.
Sipas njoftimit të Vetëvendosjes, diskutimi është zhvilluar në një frymë pozitive dhe shumë konstruktive. Për shumicën e çështjeve, sipas këtij njoftimi është gjetur pajtim i përbashkët.
“Grupet u dakorduan për detajizim edhe të disa çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Takimi i radhës, do të mbahet të hënën, ku do të diskutohet për arsimin dhe shëndetësinë”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.
/Epoka e re/