Grupi i dytë i besimtarëve nga Kosova ende nuk është nisur për në Mekë, kjo është arsyeja
Grupi i dytë i besimtarëve nga Kosova ende nuk janë nisur për në Haxh.
Kjo për shkak të një defekti që ka pësuar aeroplani i tyre me të cilin do të udhëtonin.
Kështu ka bërë me dije Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). BIK-u ka njoftuar se besimtarët ende gjenden në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Avioni i paraparë për t’i dërguar sot në orët e para të mëngjesit grupin e dytë të besimtarëve tanë në haxh, megjithëqë ishte nisur me kohë drejt Prishtinës për t’i marrë besimtarët tanë, gjatë fluturimit ka pësuar defekt teknik, gjë që i ka pamundësuar arritjen në Prishtinë dhe si rezultat i këtij defekti besimtarët tanë ende janë në ambientet e aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Së bashku me besimtarët tanë, në aeroport janë edhe përgjegjësit e Haxhit nga Drejtoria e Haxhit, të cilët po e përcjellin situatën”.
“Drejtoria e Haxhit është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar ‘Jordan Aviation’ që sa më parë të gjejë zgjidhje për nisjen e besimtarëve drejt destinacionit të tyre. Kërkojmë ndjesë e mirëkuptim nga besimtarët tanë dhe opinioni i gjerë për këtë vonesë të shkaktuar për shkak të defektit në avion rrugës për në Prishtinë, me shpresë që sa më parë të mundësohet udhëtimi i tyre drejt Arabisë Saudite”, ka njoftuar BIK-u.