Grupi mercenar Wagner fillon të tërhiqet nga Bahmuti
Grupi mercenar rus Wagner ka filluar të tërheqë forcat e tij nga qyteti ukrainas Bahmut dhe t’ua dorëzojë pozicionet e tij trupave të rregullta ruse, ka thënë themeluesi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin në një video të publikuar të enjten më 25 maj.
“Ne jemi duke tërhequr njësitë nga Bahmuti. Nga ora 5 e mëngjesit të sotëm deri më 1 qershor, shumica e njësive do të transferohen në kampet në pjesën e pasme. Po ia dorëzojmë pozicionet tona ushtrisë”, ka thënë ai.
Videoja është publikuar në “Telegram” nga shërbimi i tij për medie. Në këtë video shihet Prigozhin i veshur me veshje luftarake duke qëndruar pranë një blloku apartamentesh të dëmtuar nga lufta.
“Ata e kuptojnë se pasi Rusia ta humbë luftën – sepse askush në mesin e tyre nuk beson më në fitore – do të jetë pika e nisjes së kësaj lufte për fron”, ka thënë për “REL”-in, gazetari rus, Roman Anin.
Të shtunën, Prigozhin ka njoftuar kapjen e Bahmutit pas betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Në videon e fundit, Prigozhin, i cili ka kritikuar vazhdimisht publikisht zyrtarë të lartë të mbrojtjes ruse, ka thënë se forcat e tij do të ishin gati të ktheheshin në Bahmut nëse ushtria e rregullt nuk ishte në gjendje të menaxhonte situatën.
Një ditë më parë , ka thënë se Wagner ka humbur mbi 20 mijë luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve përbën 20 për qind të 50 mijë të dënuarve rusë që ai ka rekrutuar për luftën në Ukrainë.
Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6 mijë ushtarë.
Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.
Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës.