Grupi Parlamentar i AAK-së apelon që të mos përsëriten aksionet si ky i sotmi i EULEX-it
Grupi Parlamentar i AAK-së ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të OVLUÇK-së Hysni Gucati nga policia e EULEX-it.
Në reagimin për medie, deputetët e AAK-së kanë vlerësuar se operacionet e tilla janë të panevojshme dhe padinjitetshme.
“Me shumë shqetësim po ndjekim zhvillimet në zyrat e OVL të UÇK-së. Konsiderojmë se operacione të tilla janë të panevojshme dhe padinjitetshme. Republika e Kosovës, populli i saj e në veçanti luftëtarët e lirisë, asnjëherë nuk e kanë penguar drejtësinë. Përkundrazi, ne gjithmonë kemi qenë në anën e saj, pasi që vet ishim viktimë e agresorit serb. Edhe pse, duke nisur prej liderit tonë Ramush Haradinaj, shumë luftëtarë padrejtësisht u akuzuan e u trajtuan në gjykata ndërkombëtare, ata asnjëherë nuk i kanë ikur ftesës së organeve të rendit dhe drejtësisë. Andaj, apelojmë që të mos ndodhin më operacione të tilla sikur ky që ndodhi sot”, është thënë në reagimin e Grupit Parlamentar të AAK-së