Grupi Punues për Barazi Gjinore mban takimin e radhës
Grupi Punues për Barazi Gjinore i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka mbajtur takimin e radhës.
Në fokus të këtij takimi ishte përditësimi rreth aktiviteteve dhe nismave të Zyrës së Presidentes dhe anëtarëve të grupit punues të ndërlidhura me agjendën e barazisë gjinore nga takimi i fundit i grupit. Konkretisht u diskutua mbi Platformën për Parandalimin e Dhunës me Bazë Gjinore të përpiluar nga Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në fund të vitit të kaluar, si dhe nismat legjislative në të cilat kontributi i këtij grupi u cilësua si thelbësor.
Tutje, në takimin e grupit u prezantua edhe plani dinamik i punës mbi nismën për përafrimin e ligjeve relevante me Ligjin për Barazi Gjinore.
Anëtarët e Grupit për Barazi Gjinore diskutuan edhe për dokumentet të cilat do të përpilohen dhe do të shërbejnë si bazë për punën e ardhshme avokuese të grupit, krahas identifikimit të proceseve ligjore ku grupi ka shprehur gatishmëri të plotë për angazhim drejt dhënies së rekomandimeve, të cilat do të kontribuonin në finalizimin e suksesshëm të këtyre proceseve.
Grupi për Barazi Gjinore funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe garanton koordinim ndërinstitucional dhe përfaqësim gjithëpërfshirës me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi të rëndësishëm për avancimin e barazisë gjinore në institucione, sektorë ekonomik dhe procese të rëndësishme publike e politike.