Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobët
Kosova sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë. Për më tepër, kjo kulturë bujqësore këtë vit nuk ka as cilësi të mirë.
Fermeri Korab Sejdiu nga komuna e Podujevës ka korrur mbi 150 hektarë sipërfaqe të mbjellë me grurë.
Por, këtë vit sasia e grurit që ka siguruar ka qenë më e vogël. “Deri 3 000 kilogramë grurë për një hektar të kultivuar kemi arritur të sigurojmë sivjet – gjysmën e sasisë krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Sejdiu për “Radion Evropa e Lirë”.
Për shkak të sasisë më të vogël të grurit të korrur, Sejdiu ka thënë se “sivjet nuk ka bukë dhe kualiteti është i dobët”.
Për këtë gjendje, fermeri ua lë fajin kushteve klimatike që këtë vit kanë qenë të pafavorshme për bujqit.
“Ka pasur shumë reshje shiu, mjegull, brymë mëngjesi”, ka thënë ai, duke sqaruar se kjo ka bërë që gruri të mos fryhet aq sa duhet.
Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik, teksa rëndom nis në fillim të po këtij muaji. Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67 000 hektarë tokë.
Ndërsa fermeri Valon Vehapi nga komuna e Lipjanit, ka thënë se sasia më e vogël e rendimenteve të grurit këtë vit është shkaktuar edhe nga mostrajtimi i duhur i kësaj kulture bujqësore. Ai tashmë ka korrur mbi 100 hektarë tokë me grurë.
Edhe Vehapi, sikurse Sejdiu sivjet ka siguruar më pak grurë sesa ka pritur, pasi ai ka synuar 7 000 kilogramë për një hektar, por ka siguruar deri në 5 000.
“Kushtet klimatike nuk kanë qenë ideale për bujqësi, as për kulturën e grurit e as për të misrit. Kjo për arsye se muajt maj dhe qershor kanë qenë të ftohtë dhe të lagësht. Për shkak të lagështisë së madhe janë shfaqur shumë sëmundje që i kanë bërë dëm bimës së grurit. Kjo ka ndikuar edhe në tokën time, pasi siç e kam punuar tokën dhe e kam trajtuar bimën duke punuar 12 orë në ditë kam pritur deri në 7 000 kilogramë për hektar, por kam dalë me pak më shumë se 5 000 kilogramë”, ka thënë ai për “Radion Evropa e Lirë”.
Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës kanë thënë se temperaturat e ulëta gjatë pranverës ulën pritjet për prodhim të bollshëm të grurit. Kreu i kësaj federate, Tahir Tahiri, ka thënë se mesatarja e prodhimit për hektar, këtë vit do të jetë më e ulët krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë, ai nuk ka treguar se sa për qind të nevojave të saj për grurë do të arrijë t’i sigurojë Kosova këtë vit.
“Kam frikë se do të jetë viti më i dobët dhe më i vështirë sa i përket prodhimtarisë vendore. Unë nuk mbaj mend që në 40 vjet të ketë pasur lagështi nga muaji mars, prill, maj dhe qershor. Kemi pasur vërshime, breshër… Por, më e rënda ka qenë lagështia e stërzgjatur, e cila ka krijuar kushte për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme”, ka thënë ai.
Disa zona në Kosovë gjatë këtij viti janë përballur me vërshime. Në janar, komuna e Skenderajt, ajo e Mitrovicës së Jugut, Klinës dhe Istogut janë goditur nga vërshimet. Ndërkaq, në qershor, komuna e Pejës u përball me vërshime.
Përveç sasisë së pamjaftueshme të grurit që Kosova ka siguruar sivjet, cilësia e tij nuk është e duhur, ka thënë udhëheqësi i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.
Ai ka shpjeguar se cilësia e kësaj kulture bujqësore varet nga rajonet ku mbillet. Rrafshi i Kosovës, ku gjendet edhe komuna e Lipjanit, sipas tij, ka pasur rendiment dhe cilësi të mirë. Por, cilësia e grurit në rajonet e tjera, sipas Zejnullahut, nuk garanton se ai mund të përpunohet dhe të prodhohet miell.
“Gruri duhet të ketë një cilësi minimale për përpunim të miellit. Gruri i këtij viti ka pasur një kualitet aq të dobët, sa nuk ka mundësi që të prodhohet miell. Ky grurë, i këtij kualiteti, mund të përpunohet si ushqim për kafshë, por jo si ushqim për njerëzit”, ka thënë ai.
Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.
“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sasinë dhe cilësinë e grurit, por deri në publikimin e këtij teksti, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit për kokë banori, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, janë 207 kilogramë, ose mbi 410 000 tonë grurë.
Por, prodhimi vendor ndër vite ka qenë rreth 300 000 tonë grurë. Kjo ka bërë që Kosova t’i përmbushë nevojat me këtë produkt përmes importit. Në vitin 2021, nga fermerët e Kosovës kishin prodhuar 280 000 tonë grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, 115 000 tonë lloje të grurit dhe miellit janë importuar nga shtete të ndryshme të Evropës.