GSJP: Institucionet nuk i kanë përmbushur obligimet ndaj planit të MSA-së
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka prezantuar sot të gjeturat nga monitorimi me temë “Zbatimi i Planit Kombëtar për MSA-në: Cili është progresi i institucioneve gjatë pjesës së parë të vitit 2018?”.
Albana Rexha, Hulumtuese e lartë në GSJP ka thënë se rezultatet e tyre tregojnë se institucionet nuk i kanë përmbushur sa duhet obligimet e dala nga plani i MSA-së.
Sipas saj, mungesa e konsensusit, tema e dialogut, jo stabiliteti politik e faktorë të tjerë, e kanë ngadalësuar procesin e përmbushjes së planit të MSA-së.
Kurse Njomza Mjeku, zyrtare për projekte në këtë organizatë, ka thënë se sipas këtij raporti, problemi tek institucionet qëndron tek miratimi i ligjeve.
Mjeku tha se prej 21 ligjeve të MSA-së për këtë gjashtëmujor, asnjë prej tyre nuk është miratuar.
Kurse, për vitin e kaluar, Mjeku ka thënë se shkak i performancës së dobët ka qenë sistemi zgjedhor.
Sipas saj, MSA-ja vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të Kosovës drejt BE-së. Rezultatet nga ky vlerësim janë pjesë e procesit të monitorimit të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, të monitoruara nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Rezultatet nga ky monitorim janë mbledhur prej vitit 2016 e deri më gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.