GSPJ kërkon rritjen e punës së prokurorisë në rastet e korrupsionit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSPJ) ka prezantuar raportin “Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?”, në lidhje me atë se sa po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Bardha Maxhuni, autore e raportit ka thënë se në bazë të afateve ligjore shumë prej rasteve janë në rrezik që të parashkruhen. “Bazuar se si janë proceduar kallëzimet penale gjatë periudhës 2016-2018vërejmë se një numër i konsiderueshëm i kallëzimeve penale për vitin 2017 nëpër të gjitha prokuroritë është hedhur poshtë, me arsyetimin se nuk përfshinë elementet e parapara. Duke pasqyruar një mungesë të profesionalizimit në aspektin elementar. Shpesh herë vë në dyshim qëllimin e vërtetë se pse këto aktakuza janë të paqëndrueshme. Në këtë drejtim kemi edhe një numër të vogël të aktakuzave të ngritura ku për vitin 2017 vetëm 40 për qind kanë rezultuar në aktakuza të ngritura”, ka thënë ajo.
Maxhuni ka listuar rekomandimet e kësaj organizate lidhur me këto çështje. “Si rezultat i të gjeturave, kemi ardhur në këto rekomandime: për komisionin mbikëqyrës është që të ofroj pasqyrë të plotë të lëndëve të korrupsionit të viteve 2001-2013 dhe informata lidhur me mënyrën se si janë proceduar ato, gjithashtu të ndërmerren masa disiplinore ndaj prokuroreve që janë treguar neglizhent në punën e tyre”, ka thënë Maxhuni.
Agim Maliqi, gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka thënë se ka pasur rritje sa i përket trajtimi të rasteve. “Nëse krahasojmë raportet e muajit gusht 2017 dhe muajit gusht 2018, kemi një progres në trajtimin e këtyre lëndëve, dhe është një numër prej 47 lëndë më pak se vitin e kaluar. Ne kemi edhe dy projekte shumë të rëndësishme që do të hyjnë më detale të rishikimit, eventualisht të lëndëve të cilat janë përfunduar në aktgjykime të formës së prerë. Normalisht kjo do të shikohet prej perspektives se sa janë trajtuar seriozisht nga prokurori i shtetit dhe gjykata e shkallës së parë, së dytë dhe të tretë. Shumë lëndë mund të vjetërsohen për shkak të mostrajtimit të tyre, një numër i caktuar i lëndëve me vite të tëra mund të mbeten në prokurori pastaj me një periudhë kohore të barten në gjykatë”, ka thënë Maliqi.
Ehat Maliqi nga Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD) ka pohuar se sipas të dhënave të këtij instituti kanë vërejtur se mbi 70 raste janë mbyllur nga prokuroria pa u dërguar në gjykatë. “Në bazë të monitorimit strategjik të IKD-së vërehet se mbi 70 raste dërgohen nga policia në prokurori, të njëjtat mbyllen nga prokuroria, pa e dërguar në gjykatë. 50 për qind e rasteve shtyhen pasi që mungojnë prokuroret”, ka thënë Maliqi.
Gjatë tryezës, ai ka përmendur edhe rastin e veteranëve mashtrues, që sipas Maliqit, publikimi i të dhënave personale është e paligjshme dhe se shtimi i numrit mbi 1000 veteranë të vërtetë është bërë për t’u dëmtuar rasti. (kallxo.com)