Guaidos i ndalohet posti publik për 15 vjet
Liderit opozitar të Venezuelës, Juan Guaido do t’i ndalohet mbajtja e ndonjë pozite publike për 15 vjet, ka njoftuar kontrolleri financiar i këtij shteti.
Kontrolleri, Elvis Amoroso ka thënë se dokumentet financiare të Guaidos kanë qenë të paqarta.
Guaido, udhëheqës i Asamblesë Kombëtare, që kontrollohet nga opozita, ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar.
Ai ka mbështetjen e më shumë se 50 shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
BBC ka raportuar se vendimi për t’i ndaluar një pozitë të tillë Guaidos do të hyjë në fuqi, nëse ai vendos të rikandidojë për postin që ka si udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.
Guadio ka kundërshtuar njoftimin e Amorosos, duke thënë se ai nuk është “auditor i përgjithshëm”.
“Kongresi legjitim është fuqia e vetme që mund të emërojë një auditor të përgjithshëm”, është shprehur ai.
Me mbështetjen e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, Guadio ka shtuar thirrjet për dorëheqje të presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.
Bashkimi Evropian ka dënuar këtë veprim kundër Guaidos, derisa një zyrtar amerikan për sanksione ka thënë se ShBA-ja synon të ushtrojë presion maksimal ndaj Qeverisë së Venezuelës.
Mirëpo Maduro, që ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, i konsideron thirrjet e Gauidos, si përpjekje të ShBA-së për “pushtim” të shtetit të Amerikës Jugore, raporton “Rel”.
Maduro është betuar për mandatin e dytë si president, derisa protestat ndaj tij janë nxituar nga keqmenaxhimi i ekonomisë dhe pretendimet për abuzim me të drejta të njeriut.