“The Guardian”: Vuçiqi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës
Kur NATO-ja kishte bombarduar Serbinë në vitin 1999, Aleksandër Vuçiq, ishte ministër i Informacionit, duke zbatuar rregullat e censurës për ish-presidentin, Slobodan Millosheviq, i cili më vonë do të gjykohej për krime lufte.
Kështu e ka nisur shkrimin e tij, mediumi britanik “The Guardian” kur flet për Kosovën dhe Serbinë si dhe dialogun në mes të këtyre dy shteteve duke theksuar se Vuçiqi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës nëse përfiton diçka.
Por, diplomatët tashmë e kanë bërë dallimin ndërmjet pranimit të pavarësisë dhe njohjes që nënkupton që Beogradi nuk do ta njohë në mënyrë eksplicite Kosovën.
Gati dy dekada më vonë, vetë Vuçiqi është president i Serbisë.
Duke pretenduar se ka hedhur shumë nga pikëpamjet e tij të mëparshme nacionaliste dhe duke u larguar nga akuzat për autoritarizëm, ai tani shihet nga bashkësia ndërkombëtare si njeri që mund të nënshkruajë një marrëveshje që përfundimisht do të sjellë pajtimin mbi Kosovën.
Kosova është shkëputur nga Serbia, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare pas fushatës ajrore të NATO-s dhe ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Por, Serbia ende Kosovën e konsideron territorin e saj, shkruan “The Guardian”, transmeton “Express”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një intervistë dhënë për “The Guardian” në Beograd këtë javë, ka thënë se beson që tani ka një dritare të shkurtër prej një periudhe gjashtë muaj apo një vit, në të cilën mund të jetë e mundur të nënshkruhet një marrëveshje.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje të vetme, jemi gati të marrim parasysh çdo propozim të vetëm që do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”, ka thënë ai, duke siguruar që Serbisë t’i ofrohet diçka në këmbim.
Kosova është njohur nga më shumë se 100 shtete, por ende ekzistojnë pesë vende të BE-së që nuk e njohin atë, kryesisht për shkak se ata kanë frikë se mund të krijojë një precedent për mosmarrëveshjet e tyre të brendshme territoriale.
As Kina, India dhe Rusia.
Shpresa në Bruksel është se mund të arrihet një marrëveshje që do të çonte në pranimin e Beogradit nëse nuk do të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe do të hapë rrugën që Kosova të marrë një vend në OKB dhe që të dy vendet të fillojnë një rrugë drejt anëtarësimit në BE.
Vuçiqi, siç ka shkuar “The Guardian”, i ka rritur këto shpresa, por në këmbim kërkon një paketë përfitimesh për Serbinë.
Ai është përfshirë tashmë në dialogun e rregullt të mbikëqyrur nga BE-ja në Bruksel me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjithashtu Thaçi i ka thënë për “The Guardian” javën e kaluar se ai priste një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të arrihej këtë vit.
Pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkelin në Berlin këtë muaj, Vuçiqi ka thënë se nuk kishte qenë në gjendje të fle natën dhe nuk ishte në gjendje të hante, sepse ai ishte aq nervoz për fatin e Serbisë.
Kritikët e Vuçiqit kanë thënë se kjo është pjesë e një imazhi të ndërtuar me kujdes të një luftuesi vetëmohues për Serbinë që maskon një përpjekje të papërpunuar për të konsoliduar pushtetin.
“Ky është një lloj stili i ri në politikën botërore, duke krijuar një imazh publik si ‘njeriu më i mirë’ në Serbi”, ka thënë Boban Stojanoviq nga i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit.
“The Guardian” ka shkuar se në kohën kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë në një pikë të ulët, Vuçiqi ndoshta më shumë se çdo udhëheqës tjetër botëror po ecën në mes të dyjave, duke këmbëngulur se integrimi evropian është një përparësi kryesore për Serbinë, duke mbajtur lidhje shumë të ngushta me aleatin e saj tradicional në Moskën.