Guardiola: E ndiej se do të kualifikohemi
Manchester City do ta presë Tottenhamin sonte (e mërkurë) në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Lojtarët e Pep Guardiolës do të duhet ta përmbysin humbjen 1-0 të pësuar para një jave për të siguruar një vend mes katër më të mirave të kompeticionit evropian më të rëndësishëm për klube.
Gjithsesi, trajneri i “Qytetarëve” nuk është dukur shumë i shqetësuar për këtë sfidë dhe në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes, ka bërë disa deklarata befasuese. Duket se Liga e Kampionëve nuk ka shumë rëndësi për Guardiolan.
“E di që njerëzit thonë se unë kam ardhur këtu për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve, por nuk kam ardhur këtu për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve, sinqerisht. Unë erdha këtu për të luajtur në mënyrën që skuadra ime ka luajtur gjatë 20 muajve të fundit. Kjo është arsyeja pse erdha këtu: për të luajtur futboll në stilin tim dhe natyrisht se dua ta fitoj titullin e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Guardiola. “Nuk ka vend për panik edhe në rast se do të eliminohemi. Gjithsesi, jam i sigurt se do të jemi ne ata që do të shkojmë në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Sido që të shkojnë gjërat ndaj Spursit, edhe nëse dështojmë, ne jemi ende në garë për titullin kampion në Premierë Ligë. Do të luajmë në finalen e FA Cup dhe është e sigurt që edhe në vitin tjetër do të jemi në Ligën e Kampionëve. Gjithsesi, nëse më pyesni mua, ju them se ne do të jemi gjysmëfinalistë. E ndiej se do të kualifikohemi”, ka deklaruar Guardiola.
Për ndeshjen ndaj Manchester Cityt ka folur kapiteni i Tottenham Hotspurit, Hugo Lloris. Portieri francez ka thënë se Tottenhamit i duhet gjithçka në përballje me Cityn, kurse për kualifikim duhet angazhim maksimal. “Ne kemi nevojë për shpirt, kemi nevojë për organizim të mirë dhe kemi nevojë për fat, pra kemi nevojë për gjithçka kundër Cityt. Duhet të jemi solidë dhe ne kemi nevojë për pak fat. Mendoj se fryma ka qenë fantastike në javët e fundit. Është e gjitha pozitive dhe ne e dimë në futboll se ju nuk mund të jeni në një situatë të rehatshme. Ju gjithmonë duhet ta shtyni atë në kufi dhe do të jetë rasti në atë lloj loje, sepse ne të gjithë duhet të luajmë mbi 100 % nëse duam të arrijmë rezultate”, ka thënë Lloris.
Ndeshja tjetër që zhvillohet sonte do të jetë ajo në mes të Portos dhe Liverpoolit. “Reds” është afër kualifikimit pasi e ka fituar ndeshjen e parë në Angli me rezultat 2-0.
Të mërkurën takohen:
21:00 Porto – Liverpool (0-2)
21:00 Manchester City – Tottenham H. (0-1)
/Epoka e re/