Guardiola: Ja trajneri më i fortë me të cilin jam përballur
Manchester City po përgatitet për përballjen e kthimit të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve me Realin e Madridit, pasi fitoi sfidën e parë me rezultatin 2-1, ndërsa Pep Guardiola “ngre stekën” dhe thekson se synon të fitojë trofeun me “veshë të mëdhenj” me skuadrën angleze.
Në një intervistë të dhënë për transmetuesin DAZN, trajneri spanjoll pranoi se nëse nuk arrin të fitojë Championsin, mund ta quajë të dështuar sezonin e tij te Manchester City, ndërsa foli me elozhe edhe për kolegët e tij si Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp, të cilët po bëjnë një punë shumë të mirë në skuadrat përkatëse.
Champions – Duhet ta fitojmë, pasi nuk e di se çfarë ndjej, kur shoh që nuk po e fitoj prej disa kohësh. Kam provuar gjatë gjithë viteve që kam qenë këtu, por nuk ia kam dalë. Nëse mund ta luash, mund ta fitosh dhe nëse nuk e fitoj, atëherë mund të them se kam dështuar. Megjithatë fakti që e kam fituar dy herë rresht, nuk më bën një trajner që di më shumë se të tjerët.
Zidane – Ai ka fituar tre herë radhazi Ligën e Kampionëve dhe i ka hequr tre tituj kampionë Barcelonës, që ka qenë dominante 10 vitet e fundit. Të gjithë këto trofe tregojnë kapacitetin e tij të lartë si trajner dhe menaxher i një skuadre.
Klopp – Është rivali më i fortë me të cilin jam përballur në karrierë. Dominon në gjithçka. Nëse skuadra e tij të vë përpara, atëherë nuk të lë të dalësh nga zona. Nëse të lë të dominosh, di të dalë shumë shpejt në kundërsulm dhe të kthehet po aq shpejt në mbrojtje. Vrapojnë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe kanë strategji shumë të mira.