Guardiola: Kemi thyer shumë rekorde, tani po i bëjmë në të kundërt
Manchester City pësoi një tjetër disfatë, kësaj here ndaj Bournemouth, duke regjistruar humbjen e shtatë në 9 ndeshjet e fundit. Një krizë e thellë për “Citizens”, që kanë rrëshqitur në pjesën e poshtme të tabelës, shumë larg kreut, pas 4 titujve radhazi të Premier Ligës.
Pas kësaj disfate të radhës, Pep Guardiola u shpreh kështu për kanalet zyrtare të klubit anglez: “Humbëm, tani duhet të mendojmë për Evertonin dhe jo për më shumë se kaq. Humbëm një tjetër ndeshje dhe tani duhet të mendojmë se çfarë të bëjmë, pasi kemi fituar kaq shumë. Jam këtu për të dhënë përgjigjen time, jo për t’u justifikuar e mbrojtur me mungesat e shumta, si rezultat i dëmtimeve në masë të lojtarëve. E kam thënë që kur humb kaq shumë ndeshje, duhet të marrësh përgjegjësitë. Futbolli është një biznes dhe duhet të fitosh”.
Manchester City, që dikur njihej për thyerjen e rekordeve pozitive, tani rrezikon të kthehet në ekipin që thyen rekorde negative. Guardiola ka shpjeguar këtë fenomen: “Kjo skuadër ka qenë konsistente për një kohë të gjatë, kemi thyer çdo rekord. Tani jemi në anën tjetër dhe kjo është e vërteta. Duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Jemi në këtë pozitë, ndonjëherë gjithçka bëhet më e vështirë, por lojtarët duhet të thonë: Ok, do të përpiqemi. Në fund të fundit është vetëm një lojë. Mund të fitosh ndeshje, mund të humbasësh ndeshje, mund të mbetesh i njëjtë, mund t’i ndryshosh gjërat, por është vetëm një lojë”.
I pyetur për shkaqet e këtij momenti të vështirë, Guardiola u përgjigj: “Sigurisht që ka arsye të tjera. Pësojmë gola që nuk i pësonim në të kaluarën dhe nuk shënojmë gola si dikur. Futbolli nuk ka vetëm një arsye. Ka shumë faktorë të vegjël. Sezonin e kaluar fituam Premier Ligën, sot jemi në një krizë të thellë. Duhet të mendojmë pozitivisht, kam besim të jashtëzakonshëm te djemtë e mi. Disa prej tyre kanë një krenari të madhe dhe dëshirën e duhur për t’ia dalë. Duhet të gjejmë një mënyrë, hap pas hapi, që herët a vonë të kthehemi në rrugën e duhur”. Manchester City po përballet me një nga periudhat më të vështira në vitet e fundit, por Guardiola mbetet optimist dhe i bindur se ekipi i tij do të rigjejë forcën për t’u rikthyer në majat e futbollit anglez.