Guardiola: Laporta do të përpiqet të rikthejë Messin te Barça
Pep Guardiola shpreson që Lionel Messi të kthehet në Barcelonë. Strategu spanjoll është i bindur se Joan Laporta do të përpiqet të rikthejë Messin në “Camp Nou”.
“Ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Në dekadat e fundit, Barcelona ka përjetuar një bum të vërtetë dhe pa të nuk do të ishte e mundur. Dhe nuk po flas për numrat, por për ndikimin në lojë, bukurinë, dhe gjithçka. Askush nuk do ta kishte menduar se udhëtimi i tij te Barça do të përfundonte kështu. E di që presidenti Laporta ka shumë respekt për Leon dhe ai tha se Messi meriton një lamtumirë të duhur. Leo ndihmoi klubin tonë Barcelonën të rritet. Kur një person është kaq i madh, ai meriton një lamtumirë të denjë. Shpresoj që të vijë dita që unë të jem në vendin tim dhe të mund të ngrihem në këmbë, ta duartrokas dhe t’i them lamtumirë ashtu siç e meriton Leo”, ka thënë Guardiola.
“Dhe unë e di se Joan Laporta do të përpiqet të rikthejë Messin. Ai dhe familja e tij do të shohin dashurinë që të gjithë ne tifozët e Barcelonës ndiejmë për gjithë mirënjohjen dhe respektin që ka treguar për klubin”, ka deklaruar trajneri i Manchester City.