Guardiola: Ndaj Realit do të luajmë aty ku thotë UEFA
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është i përgatitur të shohë zhvendosjen në një vend tjetër të ndeshjes kthyese ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
City kishte arritur të befasojë Realin në ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” duke i mposhtu me rezultat 2-1. Ndeshja kthyese pritej me interesim të madh, por pandemia e koronavirusit ka bërë që ndeshjet dhe futbolli të jetë i pezulluar për më shumë se tre muaj. Tashmë janë rikthyer kampionatet evropiane të futbollit, ndërsa pas përfundimit të tyre pritet të rikthehen edhe ethet e Ligës së Kampionëve.
UEFA konfirmoi se ndeshjet do të zhvillohet në 7 ose 8 gusht, por Cityt mund t’i duhet të luajë ndeshjen kthyese diku tjetër dhe jo në “Etihad”.
“Ne do të përshtatemi me ato që thotë UEFA. Është një situatë e jashtëzakonshme tani në të gjithë botën, jo vetëm në futboll. Nëse UEFA thotë se ne do të luajmë diku tjetër për situatën e shëndetit dhe sigurisë, atëherë do të ndjekim udhëzimet e tyre”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Ne do të dëshironim të luanim në Stadiumin Etihad, por nëse UEFA vendos të transferohet në një vend tjetër për të luajtur për sigurinë dhe shëndetin e të gjithë neve dhe lojtarëve të Madridit dhe stafit, ne do të përshtatemi me ato që thotë UEFA”, ka shtuar Guardiola.