Guardiola rinovon për një sezon me Manchester Cityn
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është pajtuar për një marrëveshje një vjeçare me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.
Kontrata ekzistuese e 53-vjeçarit me Cityn do të skadonte në fund të këtij sezoni dhe nëse kjo marrëveshje e re do të plotësohet, atëherë Guardiola do të kompletonte një dekadë në krye të klubit.
Ishte sugjeruar se Guardiola mund të largohet nga City në fund të këtij sezoni së bashku me drejtorin sportiv Txiki Begiristain, largimi i të cilit dhe ardhja e Hugo Vianas nga Sporting Lisbonës ishte konfirmuar në tetor.
Guardiola ishte emëruar trajner i Man Cityt në vitin 2016 pas aventurave tek Barcelona dhe Bayern Munich, duke fituar 18 trofe gjatë kohës së tij në Mançester duke përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premeir si dhe trofeun e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit.
Ai ka shpenzuar katër vite në krye të Barcelonës dhe tri sezone tek Bayerni, teksa ky është sezoni i tij i nëntë në krye të Cityt.
City momentalisht renditet në pozitën e dytë në Ligën Premier me 23 pikë të grumbulluara pas 11 ndeshjeve të para, pesë pikë mbrapa liderit Liverpoolit.
Sidoqoftë ata kanë humbur katër ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe kjo është seria më e keqe e Guardiolës për këto vite sa është pjesë e tyre.