Guardiola shfaqet i gjakosur pas barazimit me Feyenoordin: Doja t’i bëja keq vetës
Është e vështirë për t’u besuar, por Manchester City ka harruar se si fitohet. Pas pesë humbje radhazi në Premier Ligë, sfida kundër Feyenoordit ishte idealja për të lënë pas këtë krizë, por në mënyrë të çuditshme, “qytetarët” dalin sërish me kokën poshtë, kjo pasi shpërdoruan një avantazh të trefishtë përballë ekipit holandez. City avancoi 3-0, por ndeshja përfundoi 3-3.
Jo vetëm rezultati, i pabesueshëm ishte edhe imazhi i Pep Guardiolas përpara mediave, i gërvishtur dhe i gjakosur në të gjithë fytyrën e tij, por spanjolli zbuloi se nuk kishte ndodhur asnjë incident: “Këto gërvishtje i kam bërë me thonj, sepse doja t’i bëja keq vetes. Jemi të brishtë. Ishim 3-0, po luanim mirë, por më pas pësuam ato gola sepse nuk jemi të qëndrueshëm. Është e qartë që kishim nevojë për këtë fitore, do të na jepte besim, por ja çfarë bëmë”.
Me 8 pikë në pesë ndeshje, për momentin Manchester City e sheh veten në vendin e 15-të, në fazën “play-off”-it të Ligës së Kampionëve.