Guardiola: Tani Interi është edhe më i fortë
15 muaj pas finales në Stamboll, Manchester City dhe Interi rikthehen për t’u përballur në javën e parë të Ligës së re të Kampionëve. “Qytetarët” triumfuan dy sezone më parë, por Pep Guardiola beson se tashmë zikaltrit janë dhe më të fortë.
“Unë ju thashë në atë kohë sa të fortë ishin zikaltrit, tani më besoni. Dje e pashë përsëri finalen e Stambollit për herë të parë. Më kujtohet se ishte një ndeshje shumë e ngushtë, me Interin që pati dy raste shumë të qarta. Ne patëm vetëm një rast me Foden, pas golit të Rodrit, por tani Interi është edhe më i fortë në Itali. Calhanoglu, Acerbi, sidomos Barella… është një ekip i kompletuar, i cili mund të fitojë kampionatin Italian. Ka ruajtur strukturën e finales së Ligës së Kampionëve në Stamboll”, ka thënë Guardiola.
“Formati i ri? Duhet të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas ato në vijim. Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Duhet ta fillojmë mirë në shtëpi, do të përpiqemi ta nisim mbarë edicionin e ri”, u shpreh Guardiola.