Guardiola: Trofeu më i vështirë në karrierë
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, deklaroi pas fitores së sotme në Brightonit dhe kurorëzimit kampion për të dytin vit rresht se ky ishte trofeu më i vështirë që ka fituar në karrierën e vet.
Pas një serie të gjatë suksesesh në Spanjë me Barcelonën dhe në Gjermani me Bayernin, Guardiola e ka fituar dy herë rresht kampionatin anglez, pas një gare fantastike me Liverpoolin e Jurgen Kloppit, që e mbylli me vetëm një pikë më pak, në një sezon historik, ky dy skuadra kaluan kuotën e 95 pikëve.
Për këtë arsye, Guardiola ka pasur fjalë të mëdha për rivalët: “Duhet ta përgëzojmë Liverpoolin dhe ta falënderojmë, sepse na detyruan që të shkonim në limitet tona, për të arritur standarde më të larta”.
“Është e pabesueshme, 98 pikë, dy tituj rresht. Na u deshën 14 fitore rresht në fund për të arritur te ky titull, nuk mund të bënim asnjë gabim, sepse Liverpooli ka qenë fenomenal. Është trofeu më i vështirë që kam fituar deri tani në karrierën time. Sezonin e ardhshëm do jetë edhe më e vështirë, por do të jemi edhe më të fortë, sepse kjo skuadër po fiton gjithnjë e më shumë besim te vetja, po rritemi gradualisht. Ky është realiteti, më vjen keq. Kam parandjenjën se sezonin e ardhshëm do jemi sërish në majë, do mundohemi të dalim kampionë”, ka thënë Guardiola.