![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/04/pep-guardiola.jpg)
Guardiola uron dhe ‘sfidon’ Bayernin
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka uruar ish-klubin e tij, Bayern Munchen që i fitoi krejt titujt e mundshëm brenda një viti.
Guardiola kishte qenë i pari që e kishte arritur një gjë të tillë me Barcelonën në vitin 2009 kur kishin fituar tripletën, dy Superkupa dhe Kupën e Botës për klube.
“Urime të mëdha për krejt familjen e Bayernit për këtë sukses të pabesueshëm, që jeni bërë kampionë të Kupës së Botës për klube, dhe veçanërisht që fituat gjashtë tituj”, ka thënë Guardiola në një video-mesazh në “Twitter”.
“Jemi shumë krenarë, jam shumë krenar, urime të mëdha për të gjithë, veçanërisht për Hansin [Flick], lojtarët dhe stafin e dhomës së pasme për këtë gjë të mrekullueshme”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, Guardiola e thumboi me mahi Flickun duke ia përmendur suksesin që ai e kishte arritur me katalunasit, dhe duke e sfiduar për një titull të shtatë.
“Por, do të doja t’i thosha Hansit që ti je i dyti ekip që i fiton gjashtë tituj me radhë. Para jush, ishte një ekip tjetër, Barcelona, andaj ndoshta duhet ta thërras Messin dhe shoqërinë që të mund të luajmë për një titull të shtatë? Më thuaj kur dhe ku dhe do të vijmë aty”, ka thënë Guardiola.