Gucati fton Prokurorinë ta vazhdojë punën e Blakajt

17 gusht 2018 | 07:52

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka ftuar Prokurorinë e Shtetit ta vazhdojë punën e ish-prokurorit special Elez Blakaj, i cili ka qenë duke e hetuar keqpërdorimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Prokuroria duhet ta çojë deri në fund këtë çështje dhe ta zbardhë të vërtetën.

“Nëse Blakaj ka dhënë dorëheqje, besoj se shteti i Kosovës ka prokurorë të tjerë që ta vazhdojnë punën aty ku e ka lënë Blakaj. Pra, ky proces nuk duhet të ndalet këtu e të bëhen shumë thashetheme me lista të veteranëve. Puna duhet të vazhdojë dhe kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Gucati.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, të ketë thënë se rreth 19 mijë veteranë kanë fituar statusin kundërligjshëm.

“Edhe unë e lexova deklaratën e kryeprokurorit Lumezi. Tani nuk e di çfarë pret Lumezi dhe Prokuroria e Shtetit që nuk ndërmarrin diçka. Unë i bëj thirrje kryeprokurorit Lumezi t’i marrë të gjitha masat dhe të vazhdojë punën që i takon, nëse kanë prova që rreth 19 mijë veteranë fituan statusin kundërligjshëm”, është shprehur Gucati.

Kryetari i OVL-UÇK-së ka treguar edhe për komunikimin që ka pasur me ish-prokurorin special Elez Blakaj para disa muajve.

Sipas Gucatit, ish-prokurori që ka hetuar këtë çështje e ka pyetur nëse është në dijeni që janë fryrë listat e veteranëve të UÇK-së.

“Unë jam kontaktuar një herë nga Elez Blakaj para dy-tre muajve. Ai më ka pyetur mua në cilësinë e kryetarit të OVLUÇK-së, se çka mendoj për fyerjen listës së veteranëve. Pra, krejt ajo që më ka pyetur është se a jam në dijeni se janë fryrë listat”, ka thënë ai, duke treguar përgjigjen që ia ka dhënë ish- prokurorit.

“Unë qëndrimin tim rreth kësaj çështje e kam bërë publik edhe më herët përmes medieve, ku kam thënë se listat e veteranëve janë të fryra dhe kërkojmë drejtësi”, ka thënë Gucati.

Sipas tij, Blakaj i ka treguar se për këtë çështje janë duke u bërë hetime dhe nuk ka thënë diçka nëse ndihet i kërcënuar nga dikush apo jo.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar të enjten se janë rreth 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së dhe marrin përfitime nga shteti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trevjeçarja e quajtur Ophelia, del të jetë fëmijë mjaft i…