Gucati: Ish-komandantët e UÇK-së do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre në Hagë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ka thënë se gati dy dekada pas lufte padrejtësisht është duke vazhduar torturimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykatat ndërkombëtare.
Megjithatë ai ka thënë se ish-komandantët e UÇK-së që janë ftuar nga Gjykata Speciale do të kthehen faqebardhë në Kosovë.
Gucati ka thënë se OVL e UÇK-së ka qenë edhe është në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.
“Edhe këtë radhë si gjithmonë që keni dalë faqebardhë, përsëri do dilni me kokën lart dhe do dëshmoni pafajësinë tuaj. Torturat dhe mohimi i lirisë po vazhdon edhe sot pas kaq vitesh që larguam armikun nga vendi ynë, e gjitha çfarë bëmë ishte të mbrojmë tokat dhe kufijtë tonë, të luftojmë për lirinë e popullit tonë e sot bashkëluftëtarët tanë gjykohen. Gjykohen pse luftuan për të mbrojtur të drejtat e popullit për të qenë të lirë dhe të pavarur. Me sa duket gjykatat do vazhdojnë edhe për shumë kohë të torturojnë padrejtësisht komandantet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Sami Lushtakun, Rrustem Mustafa, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e shumë të tjerë, të cilët akuzohen padrejtësisht, por ne jemi në përkrahje të tyre dhe do vazhdojmë t’i mbështesim dhe t’i mbrojmë. Krenarë çdoherë me sakrificën dhe veprën tuaj!”, ka shkruar Gucati në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/