Gucati kërkon konservimin dhe restaurimin e kullave të familjes Jashari në Prekaz
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që sa më parë ta bëjë konservimin dhe restaurimin e kullave të familjes Jashari në Prekaz.
Gucati ka thënë se kullat e Jasharëve, të cilat janë simbol i luftës dhe historisë kombëtare janë në rrezik nga shembja.
“Sot ato rrezikohen të rrënohen për shkak të mos konservimit të tyre. Kullat të cilat janë simbol i luftës dhe historisë së familjes Jashari janë në rrezik nga shembja për shkak të vjetërsisë. Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë që ka rëndësi të madhe historike dhe kulturore për qytetarët dhe historinë e Kosovës, qeveria e Kosovës duhet sa me parë të bëj konservimin dhe restaurimin e kullave të Jasharëve!”, ka shkruar Jashari në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Gucatit:
Është një mëkat i madh kur shohim se si qeveritë e kaluara nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për mbrojtjen dhe ruajtjen e kullave të familjes Jashari të cilat janë dëshmia më e mirë e luftës së lavdishme të familjes Jashari, aty ku nisi gjithçka dhe u vulos fati i shtetit të Kosovës.
Kullat e familjes Jashari janë simbol i rezistencës, sakrificës, luftës së familjes Jashari dhe popullit shqiptar për liri.
Gjatë viteve ’90 , familja Jashari u sulmua tri herë nga forcat ushtarake dhe policore serbe ku përdoren të gjitha mjetet e tyre ushtarake që ta ndalnin luftën e nisur për liri të Kosovës.
Kullat e familjes Jashari në Prekaz i rezistuan tankeve dhe artilerisë së forcave serbe gjatë luftës dhe sot i kemi dëshmi e luftës dhe dhunës së egër nga okupuesi serb që bëri mbi gjithë popullin e Kosovës. Falë sakrificës, rezistencës dhe veprës se familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënë në luftën për çlirim nga okupuesi serb u vu gurthemeli i shtetit të Kosovës.
Sot ato rrezikohen të rrënohen për shkak të mos konservimit të tyre. Kullat të cilat janë simbol i luftës dhe historisë së familjes Jashari janë në rrezik nga shembja për shkak të vjetërsisë.
Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë që ka rëndësi të madhe historike dhe kulturore për qytetarët dhe historinë e Kosovës, qeveria e Kosovës duhet sa me parë të bëj konservimin dhe restaurimin e kullave të Jasharëve! (L.G/ Epoka e re)