Gucati: OVLUÇK-ja kërkon riverifikim të plotë të veteranëve
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka thënë se është në të mirën e të gjithëve që të ndodhë një riverifikim i plotë i veteranëve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka kërkuar që procesi i verifikimit të veteranëve të kthehet në pikën zero si dhe të amnistohen veteranët e “rrejshëm”.
“Për veteranët e ‘rrejshëm’ dhe keqpërdoruesit e listave duhet të nxirret Ligji për amnisti, pra ata të falen dhe t’u jepet një afat i caktuar për t’i dorëzuar certifikatat. Në rast se deri në afatin e paraparë nuk dorëzohen certifikatat automatikisht, sipas ligjit, ata duhet të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar dhe t’i kthejnë mjetet. OVLUÇK-ja kërkon që procesi të kthehet në pikën zero, pastaj të ndodhë një riverifikim i plotë i veteranëve si dhe të aprovohet Ligji për amnisti”, ka deklaruar ai.
Gucati u ka bërë thirrje institucioneve ta përkrahin këtë proces, duke thënë se politika e ka prishur dhe ajo duhet ta rregullojë.
“Te fryrja e listave nuk ka faj vetëm hierarkia ushtarake, por edhe politika. Këtë politika nuk mund ta fshehë. Nuk po dua t’i mbroj komandantët, por politika i ka bërë këto për çështje të votave. Madje këtu politika ka dorë të fortë. Politika e ka prishur, prandaj pikërisht politika duhet ta rregullojë. Kësisoj duhet të prishet ky proces dhe të fillojë një proces i ri. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve për të na mbështetur që të dalim prej kësaj krize dhe procesi të kthehet në rivlerësim. Në këtë drejtim presim nga Kuvendi miratimin e Ligjit për amnisti”, është shprehur Gucati.
Ai ka bërë me dije se nuk do të ketë ndërprerje të pensioneve pa vendim të gjykatës.
“Nuk besoj që ka diku në botë ligj që i ndal pensionet pa vendim të gjykatës. Nuk mund të ndalen pensionet sepse tashmë janë përzier listat. Janë mbi tre mijë veteranë të vërtetë që janë pjesë e listës së veteranëve të rrejshëm. Tash atyre nuk mund t’u ndalen pensionet. Një pjesë e tyre janë edhe themelues të UÇK-së. Nuk guxojmë të kërkojmë ndaljen e pensioneve për ata 20 mijë persona ku në mesin e tyre janë mbi tre mijë veteranë të vërtetë. Prokuroria duhet ta kryejë punën e vet dhe të vërtetojë kush ka qenë veteran dhe kush manipulues”, ka theksuar Gucati.
“Epoka e re”: Z. Gucati, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka kthyer në Prokurorinë Speciale aktakuzën për çështjen e fryrjes së listave së veteranëve të UÇK-së. Si e komentoni këtë vendim?
Gucati: Nuk dëshiroj të përzihem në punën e drejtësisë. Si duket, ata e kanë parë të arsyeshme që kjo çështje të kthehet në Prokurori. Por ne kemi pritur që të ndodhë një gjë e tillë. Prandaj shpresoj se prokuroria dhe gjykata do ta marrin një vendim të drejtë për ta çuar deri në fund procesin e listave të fryra. Edhe unë besoj se listat janë të fryra. Për mendimin tim, ky është një hap i mirë sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe çdo gjë të nisë nga e para.
“Epoka e re”: Cili, sipas jush, do të ishte ky vendim i drejtë?
Gucati: Nëse gjenden defekte në këtë proces atëherë gjykata duhet ta marrë vendimin për korrigjim. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, nuk është mirë të manipulohet me emra dhe persona të caktuar. Rasti duhet të shkojë deri në fund. Për OVLUÇK-në është me rëndësi që procesi të kthehet në pikën zero, pastaj të bëhet siç duhet riverifikimi i veteranëve të UÇK-së.
“Epoka e re”: Në vazhdimësi ju keni kërkuar që procesi i verifikimit të kthehet në pikën zero. Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë?
Gucati: Procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së mund të kthehet në pikën zëro nëse liderët politikë duan të punojnë në të mirën e veteranëve. Nëse ata pajtohen për këtë, besoj shumë se do të ketë sukses. Çdo gjë është në dorën e tyre. Liderët politikë duhet të miratojnë në Kuvend Ligjin për amnisti në mënyrë që të rivlerësohen edhe një herë aplikacionet e veteranëve që ta zgjidhim si duhet këtë problem. Edhe fëmija në djep e di se Kosova nuk i ka pasur 60 mijë ushtarë. Është turp i madh të thuhet se kanë qenë 60 mijë veteranë. OVLUÇK-ja është e interesuar të bëhet edhe një herë regjistrimi i tyre.
“Epoka e re”: Do të jetë i vështirë riverifikimi?
Gucati: Absolutisht nuk do të jetë i vështirë. Nisja e verifikimit të veteranëve nga e para do të jetë shumë e kollajshme sepse aplikacionet janë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe kërkohet vetëm riverifikimi i tyre. Kjo nuk do të merrte shumë kohë dhe mund të kryhet brenda 90 ditëve. Është gënjeshtër nëse thuhet se ky proces do të marrë shumë kohë.
“Epoka e re”: Çfarë do të ndodhë me këta veteranët e ‘rrejshëm’?
Gucati: Për veteranët e ‘rrejshëm’ dhe keqpërdoruesit e listave duhet të nxirret Ligji për amnisti, pra ata të falen dhe t’u jepet një afat i caktuar për t’i dorëzuar certifikatat. Në rast se deri në afatin e paraparë nuk dorëzohen certifikatat automatikisht, sipas ligjit, ata duhet të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar dhe t’i kthejnë mjetet. OVLUÇK-ja kërkon që procesi të kthehet në pikën zero, pastaj të ndodhë një riverifikim i plotë i veteranëve si dhe të aprovohet Ligji për amnisti.
“Epoka e re”: Meqë aktakuza është kthyer sërish në prokurori, mund të ketë një lloj pezullimi të pensioneve të këtyre që janë apostrofuar si veteranë të ‘rrejshëm’?
Gucati: Nuk besoj se ka diku në botë ligj që i ndal pensionet pa vendim të gjykatës. Nuk mund të ndalen pensionet sepse tashmë janë përzier listat. Janë mbi tre mijë veteranë të vërtetë që janë pjesë e listës së veteranëve të rrejshëm. Tash atyre nuk mund t’u ndalen pensionet. Një pjesë e tyre janë edhe themelues të UÇK-së. Nuk guxojmë që ta kërkojmë ndaljen e pensioneve për ata 20 mijë persona, ku në mesin e tyre janë mbi tre mijë veteranë të vërtetë. Prokuroria duhet të kryejë punën e vet dhe të vërtetojë kush ka qenë veteran dhe kush manipulues.
“Epoka e re”: Prisni që kjo çështje të marrë epilog në një periudhë të shkurtër kohore?
Gucati: Nëse liderët politikë e gjejnë një rrugë të përbashkët dhe duan të punojnë për të mirën e vendit dhe të veteranëve atëherë sa më shpejt duhet ta zgjidhin këtë çështje. Jemi takuar me presidentin Thaçi dhe presim të takohemi edhe me kryeparlamentarin Veselin dhe kryeministrin Haradinaj, edhe me drejtuesit e tjerë, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim këtë çështje, pra ta ndajmë shapin prej sheqeri.
“Epoka e re”: Ju keni deklaruar se për këtë çështje keni marrë mbështetje nga presidenti Thaçi, por si prisni mbështetje edhe nga kryeministri Haradinaj i cili pretendon se kanë qenë mbi 60 mijë veteranë?Gucati: Kemi marrë mbështetje nga presidenti Thaçi, por besojmë shumë edhe në punën dhe në mbështetjen e tij meqë kryeministri ka qenë komandant i UÇK-së dhe nuk besojmë se ai do të shkelë mbi vlerat e luftës. Duke pasur parasysh se presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri kanë qenë pjesë e UÇK-së, besojmë në mbështetjen e tyre. Unë nuk guxoj të flas me shifra se nuk kam qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe nuk kam qenë as komandant. Ajo çfarë ka thënë kryeministri Haradinaj le të mbetet në ndërgjegjen e tij. Është e rëndësishme që ai të na mbështesë për ta zgjidhur këtë problem. OVL e UÇK-së kërkon që të bëhet rivlerësimi i veteranëve të luftës. Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve në këtë proces sepse është në të mirën tonë dhe në të mirën e të gjithëve.
“Epoka e re”: Meqë po kërkoni mbështetjen e politikës për këtë proces, a do të thotë kjo se politika ka pasur gisht në fryrjen e listave?
Gucati: Te fryrja e listave nuk ka faj vetëm hierarkia ushtarake, por edhe politika. Këtë politika nuk mund ta fshehë. Nuk po dua t’i mbroj komandantët, por politika i ka bërë këto për çështje të votave. Madje këtu politika ka dorë të fortë.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh ndikimin e madh të politikës, si mund të përmirësohet ky proces?
Gucati: Politika e ka prishur, prandaj pikërisht politika duhet ta rregullojë. Kësisoj duhet të prishet ky proces dhe të fillojë një proces i ri. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve për të na mbështetur që të dalim prej kësaj krize dhe procesi të kthehet në rivlerësim. Në këtë drejtim presim nga Kuvendi miratimin e Ligjit për amnisti.
“Epoka e re”: Në rast se gjithçka do të shkojë siç ju po kërkoni dhe arrini t’i largoni nga lista veteranët e ‘rrejshëm’, a mund të presim një rebelim të tyre?
Gucati: Nuk besoj se janë tranu ata falsat që të dalin në protestë. Së pari duhet me pas ndërgjegje për të dalë në rrugë.
“Epoka e re”: Po të ishte në pyetje ndërgjegjja nuk do ta merrnin një status që nuk e meritojnë.
Gucati: Dihen arsyet pse ata janë futur në lista. Por, nuk besoj se do të kenë ndërgjegje për të dalë dhe për të reaguar në çfarëdo forme.
Shqipe HETEMI