Gucati para trupit gjykues: Do t’i mbrojë vlerat e kombit tim dhe të UÇK-së

08 nëntor 2021 | 14:16

Ka vazhduar edhe sot gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në fund të seancës i është dhënë e drejta të dy të akuzuarve që të japin deklarata të tyre lidhur me procesin e gjykimit.

I pari u drejtua Gucati, i cili tha se fillimisht do që ta ndajë me gjykatën historinë e vendit të tij, pra Kosovës, gjegjësisht të fshatit të lindjes Morinë e Skenderajt, vend ky që tha se gjatë luftës së fundit ka humbur më së shumti njerëz për kokë banori.

Ai po ashtu tregoi se gjatë viteve 1998-1999 së bashku me babanë i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i mbrojtur të drejtat elementare të njeriut, siç janë liria dhe e drejta për një jetë të lirë në vatrat tona.

“Në luftimet e qershorit të vitit 1999, unë jam plagosur nga forcat serbe, dhe si pasoje e asaj sot jam invalid dhe nuk mund të eci si gjithë njerëzit e tjerë. Ne si popull më i vjetër në Ballkan, nuk e kemi pushtuar Serbinë, por vendi ynë ka qenë i pushtuar nga Serbia. Këtu ku jemi duke qëndruar me të padrejtë qe më shumë se një vit, ne nuk e kemi bëre asnjë mëkat”.

“Kemi shfrytëzuar të drejtën tonë të fjalës së lirë, të drejtat që i kemi fituar me sakrifica të shumta. Vetëm gjatë muajve mars-prill-qershor 1999 mbi popullin tonë janë kryer mbi 400 masakra e krime nga gjenocidi serb. Janë vrarë mbi 1 mijë e 400 fëmijë e janë dhunuar mbi 20 mijë femra, janë vrarë edhe mijëra pleq që s’kanë mundur të lëvizin, dhe janë mijëra të zhdukur që as sot nuk e dimë për fatin e tyre. Është e drejtë e imja legjitime që t’i mbrojë të drejtat dhe vlerat e kombit tim, të UÇK-së, dhe të Republikës së shtetit tim të Kosovës, dhe këto vlera janë njerëzorë, të cilat unë jam i obliguar që t’i mbrojë”, ka thënë Gucati para trupit gjykues, edhe pse në një moment iu ndërpre fjalimi nga gjykatësi, i cili e luti që të mos hyjë në hollësi dhe të mos flasë për argumente me natyrë politike, por të fokusohet te procesi gjyqësor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liri Gashi shpall te pavlefshme dëftesat diplomën certifikatën SHMLT "11…