Gucati para trupit gjykues: Jam i pafajshëm dhe krenar për shokët e luftës
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar edhe njëherë se është i pafajshëm në të gjitha akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.
Ai i ka thënë trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë se të gjithë veprimet e tij kanë qenë luftë për të drejtat e popullit të Kosovës. Gucati ka deklaruar se i përkrah shokët e luftës dhe ka shtuar se deklaratat që e quajnë UÇK-në organizatë terroriste janë absurde.
“Unë vazhdojë të pohoj se jam i pafajshëm sa i përket akuzave penale ndaj meje. Unë kam vepruar siç kam bërë gjatë gjithë jetës, nga ndjenjat e sinqerta dhe obligimin për të tjerët. Gjatë 25 vjetëve të fundit në rolin tim si pjesëtar i UÇK-së, si anëtar i OVLUÇK-së jam përpjekur të veprojë nga ndjenjat e obligimit dhe përgjegjësitë ndaj anëtarëve të OVLUÇK-së dhe vendit tim. Jam krenar që jam qytetar i Republikës së Kosovës dhe jam krenar që jam shqiptar. Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë agresor ndaj asnjë vendi, ne duhet ta kemi të drejtën të mbrojmë vetën tonë ndaj atyre që kundërshtojnë të drejtën tonë të jetojmë në paqe”, ka thënë Gucati.
Në fund të deklaratës së tij, Gucati ka thënë se ndjehet krenar edhe me shokët e luftës.