Gucati: Për çështjet financiare i raportojmë organeve drejtuese të OVL-UÇK-së
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati, ka reaguar ndaj shkrimeve në disa medie se kjo organizatë ka raport financiar për afër gjysmë milioni euro të mbledhura nga veteranët në emër të anëtarësisë.
Gucati ka bërë me dije se për çështjet financiare çdo herë i raportojnë organeve të OVL-UÇK-së.
“Unë si kryetar i OVL-UÇK-së, përmes telefonit i kam dhënë prononcim para disa dite ‘Kosovapress-it’, por që e paska botuar sot.Unë kam thënë se sa i përket anëtarësimit që bëjnë veteranët i raportojmë financat para organeve tona drejtuese Kryesisë dhe Këshillit Drejtues. Shifra që e ka nxjerrw gazeta është tendencioze për shkak se: 1. Nga anëtarësia që paguajnë veteranët 8 euro i mbesin secilës degë, ndërsa 7 euro vijnë në selinë qendrore. 2. Nuk paguajnë anëtarësinë 35 000, por mund të jetë në vit përafërsisht 5 000 që i vazhdojnë kartelat dhe të hyrat bëhen përmes llogarisë bankare. Tendencioz është edhe prononcimi që e marrin nga Xhevdet Qeriqi, për shkak se ai është kryetar dege i Shoqatës së Invalidëve, e nuk është në organet tona drejtuese dhe nuk i di, apo nuk do që të jetë i informuar me raportet e rregullta që ne i paraqesim në organet tona”, ka shkruar Gucati në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/