Gucati priti Thaçin: Ne do jemi triumfues, krime lufte ka bërë Serbia
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kishte dalë sot të priste presidentin e vendit, Hashim Thaçi, në pikën kufitare në Morinë pas ardhjes së tij nga Haga.
Gucati ka deklaruar se është një gjest i mirë që qytetarë të shumtë kishin dalë ta prisin Thaçin.
“Kjo tubimi i qytetarëve nuk është organizuar nga OVL e UÇK-së, apo nga ndonjë organizatë tjetër. Por të gjithë janë qytetarë që kanë dalë me vullnetin e tyre të presin presidentin e vendit, Hashim Thaçi”.
“Ky është një gjest shumë i mirë që janë bashkangjitur të gjithë që të presin Thaçin”.
I pyetur se cili pritet të jetë epilogu i procesit që ka nisur në Hagë, Gucati ka thënë se do të jetë një epilog i dështuar.
“Epilogu do të jetë i dështuar, epilogu do të jetë në anën tonë Thaçi ka ditur ta mbrojë vendin, lirinë, pavarësinë dhe qytetarinë e Kosovës. Por në fund edhe pjesëtarët e UÇK-së”.
“Ne do të jemi triumfues krime lufte ka bërë Serbia. Kosova ka qenë tokë e djegur nga Serbia, viktima nuk mundet kurrë të barazohet me gjenocidin”, ka thënë Gucati, transmeton “Klan Kosova”.