Gucati, Thaçit e Hotit: Në Uashington kujtojani Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet dhe dhunimet
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të kenë qëndrime të njëjta para takimit me palën serbe në Uashington,i cili pritet të mbahet më 27 qershor.
Gucati ka kërkuar nga delegacioni i Kosovës që në Uashington t’ia kujtoj Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet e bërë ndaj popullsisë shqiptare, raporton “Epoka e re”.
“Sot më shumë se kurrë udhëheqësit e Republikës së Kosovës dhe liderët e të gjitha partive politike duhet të bashkohen dhe të kenë qëndrime të njëjta kur jemi përpara takimit me Serbinë, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve Kosovës ne veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i bëjmë thirrje spektrit politikë të Kosovës të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të jenë shembull i unitetit në vend dhe në rajon. Vetëm të bashkuar mund të ecim tutje dhe të kemi zgjidhje sa më të mirë për Kosovën. Ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Uashington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë!”, ka shkruar Gucati në llogarinë e vet në “Facebook”