“Gulistan”-i: Vazhdojmë aktivitetin arsimor në Kosovë, më cilësi edhe më të lartë
Institucionet arsimore “Gulistan” që veprojnë në Kosovë kanë lëshuar një deklaratë për medie, përmes së cilës bëjnë me dije se pavarësisht zhvillimeve të fundit, ku drejtues dhe mësimdhënës të Kolegjit “Mehmet Akif” u arrestuan dhe u depportuan në Turqi, këto institucione do ta vazhdojnë aktivitetin mësimor.
“Bëjmë me dije, nxënësit tanë, prindërit si dhe gjithë opinionin publike, që jemi të vendosur të vazhdojmë aktivitetin arsimor dhe edukativ megjithë këto ndodhi fatkeqe. Arsimi dhe edukimi i planifikuar do të vazhdojë me të njëjtën cilësi dhe rigorozitet! Për këtë do të bëhen përforcime në personelin mësimor në mënyrë që të zëvendësohen profesorët e kidnapuar”, është thënë në deklaratën e institucioneve arsimore “Gulistan”.
Arrestimi i drejtuesve dhe mësuesve të Kolegjit “Mehmet Akif” sipas kësaj deklarate ishte ngjarje e pikëlluar për të gjithë personelin arsimor të institucioneve arsimore “Gulistan”, nxënësit, prindërit dhe për gjithë popullin e Kosovës.
“Vëmë në dijeni gjithë opinion publik se institucionet arsimore ‘Gulistan ‘do të përdorin të gjitha të drejtat që i njohin Konventat ndërkombëtare dhe Evropiane, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë ligjore të gjithë personat dhe institucionet të përfshirë ne rrëmbimin”, është thënë në këtë deklaratë.
Deklarata e plotë e institucioneve arsimore “Gulistan”:
Institucionet Arsimore Gulistan kanë filluar aktivitetin arsimor edukativ në Kosovë prej vitit 2000. Këto institucione janë hapur në bazë të kërkesë të popullit shqiptar të Kosovës si pasojë e ndihmës humanitare e arsimore që është dhënë në Shqipëri nga personeli i Kolegjit “Mehmet Akif” për popullsinë shqiptare të dëbuar nga shtëpitë dhe vendi i tyre prej përdorimit të dhunës dhe gjenocidit nga forcat serbe.
Institucionet tona qe nga dita e parë e aktivitetit kanë zbatuar me përpikëri ligjet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu i kanë kushtuar rëndësi të veçantë cilësisë së arsimit të ofruar e aktualisht numërohen shumë arritje në fusha të ndryshme shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare (238 medalje në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare). Cilësia në mësimdhënie e shkollave tona është vërtetuar edhe nga rreth 2000 maturantë tanë të cilët kanë vazhduar studimet e larta në universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit.
Ashtu siç i gjithë opinioni publik është në dijeni, më 28 mars 2018 pesë kolegët tanë mësimdhënës janë kidnapuar në mënyrë të paligjshme në kundërshtim me parimet demokratike të cilat mbi gjithçka tjetër respektojnë të drejtat individuale të çdo njeriu pavarësisht përkatësisë etnike, besimit, bindjeve politike apo ideologjike, si parime të patjetërsueshme të mishëruara në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Nga kjo ngjarje janë të pikëlluar i gjithë personeli arsimor i Institucioneve Arsimore Gulistan, nxënësit tanë, prindërit si dhe i gjithë populli i Kosovës.
Vëmë në dijeni gjithë opinion publik se Institucionet Arsimore Gulistan do të përdorin të gjitha të drejtat që i njohin Konventat ndërkombëtare dhe Evropiane, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë ligjore të gjithë personat dhe institucionet të përfshirë ne rrëmbimin.
Besojmë se, Kosova si shtet demokratik i ndërtuar në përputhje me standardet më të larta, do të adresojë në mënyrë institucionale përgjegjësinë ligjore të aktorëve të involvuar në këtë rast kaq të rëndë, në përputhje me vlerat e sundimit të ligjit e vlerat evropiane që ajo përfaqëson, duke siguruar që këto ngjarje, të cilat rrezikojnë rrugëtimin e saj evropian, të mos ndodhin më asnjëherë në të ardhmen.
Bëjmë me dije, nxënësit tanë, prindërit si dhe gjithë opinionin publike, që jemi të vendosur të vazhdojmë aktivitetin arsimor dhe edukativ megjithë këto ndodhi fatkeqe. Arsimi dhe edukimi i planifikuar do të vazhdojë me të njëjtën cilësi dhe rigorozitet! Për këtë do të bëhen përforcime në personelin mësimor në mënyrë që të zëvendësohen profesorët e kidnapuar.
Në këtë ngjarje të vështirë dhe trishtuese që po jetojmë, dëshirojmë të FALENDEROJMË të gjitha ata të cilët nuk na kanë lënë vetëm por na kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit tonë.
FALENDEROJMË:
Nxënësit tanë,
Prindërit,
Maturantët tanë,
Përfaqësuesit e organeve të shtypit,
Gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore,
Ambasadorët e atashuar në Kosovë si dhe Shefat e Misioneve,
Organizatat e shoqërisë civile.
Gjithashtu FALENDEROJMË të gjithë ata vullnetarë që na kanë ndihmuar të shprehim e transmetojmë me anë të medias sociale në shumë vende të botës, vështirësitë e tronditjen që kemi pësuar.
Me shprese që një ngjarje e tillë të mos ndodhë më asnjëherë!!!