Gundogan thyen heshtjen, flet për kalimin te Fenerbahce
Mesfushori i Barcelonës Ilkay Gundogan e ka pranuar se ka interesim për të luajtur në Superligën e Turqisë para pensionimit, por aktualisht është i fokusuar te katalunasit.
Vetëm një vit pas transferimit nga Manchester City, Gundogan ka qenë i lidhur me largimin nga Barcelona. Duke marrë parasysh situatën financiare, 33-vjeçari nuk është “zgjidhje afatgjatë”, andaj bordi konsideroi oferta.
Sidoqoftë, Gundogan i cili ka kontratë deri në verën tjetër, nuk është duke e shqyrtuar si opsion largimin nga Barcelona.
“Ndoshta një ditë do t’i bashkohem Superligës turke, por jo këtë verë”, tha shkurtimisht ai për “A Spor”.
Gundogan ishte ndër mesfushorët më të mirë në vitin e parë te Barcelona, duke bërë 51 paraqitje sezonin e kaluar, sidoqoftë nuk arriti të fitojë ndonjë trofe.
Në fakt, turku-gjermani ka qenë kritikues për Barcelonën shkaku që nuk po jenë në gjendje të garojnë me Real Madridin.
Barcelona këtë verë është përforcuar me Dani Olmon nga Leipzigu, ndërsa tani po e tentojnë edhe afrimin e Nico Williams, me shpresën që të rivalizojnë Realin në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.