Gurët, drurët e metalet që flasin
Për ata njerëz që punën e një skulptori e matin me vepra arti, Agim Islamaj është skulptori që tre ari truall të shtëpisë së vet i ka mbushur me punime të realizuara në gur, dru, mermer, gjips, qeramikë etj.
Për njerëzit e tjerë, që punën e një skulptori e matin me pjesëmarrje të veprave në ekspozita kolektive e personale, Islamaj tashmë ka bërë emër në gjithë Kosovën, pasi që ka marrë pjesë në mbi pesëdhjetë ekspozita kolektive dhe ka hapur rreth dhjetë ekspozita personale.
Për të tjerë njerëz, që suksesin e një skulptori e matin me çmime e me mirënjohje, Islamaj është shpërblyer në Prishtinë, në Gjilan, në Ferizaj, në të cilat qytete më së shpeshti janë hapur ekspozitat më të mëdha kolektive të skulptorëve nga Kosova e nga Shqipëria në 18 vjetët e fundit në të cilat Islamaj ka marrë çmimet kryesore dhe është nderuar për kontribut të dhënë në artet pamore nga shoqata të ndryshme të artistëve shqiptarë, edhe për bartje të historisë shqiptare në vepra arti.
Kushdo që sot i ka parë ose nesër i sheh veprat artistike të Islamajt, ka parë dhe do të shohë se ai nuk ka punuar vetëm për vete. Sheh dhe do të shohë se ai ka punuar për të gjithë dashamirët e artit. Sheh dhe do të shohë se ai ka punuar dhe është pëlqyer edhe nga shkrimtarët, të cilët punimet e tij i kanë vënë në kopertinat e librave të vet. I kanë vënë sepse Islamaj, ato që i kanë thënë ata me shumë fjalë e gjuhë të gjallë, ky i ka shprehur kohë më përpara se ta në guri, pastaj në dru, në qeramikë, në gjips, në pikturë etj. dhe në materiale të tjera në të cilat punon vepra artistike. Dhe, kushdo që i sheh veprat e tij, aty e gjen historinë kombëtare të shqiptarëve, veçan të Kosovës e të Shqipërisë, biografinë personale dhe atë impersonale; dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, ankthin.
Me këtë rast, meqë po përmend disa prej temave të veprave të tij, po e kujtoj një çast mjaft të dhimbshëm të cilin ma ka rrëfyer mua, pastaj Islamaj e ka rrëfyer edhe në medie. Agimi, derisa diskutonim për disa punime të tij, ndalet për një çast në njërën prej tyre e më rrëfen më gjatë. Më thotë: “Kjo, Berat, është një prej atyre që, kur u masakrua familja Deliu në Abri, unë isha shumë pak metra larg saj dhe e shihja të gjithë ngjarjen”. Me këtë informacion që më jep, njëkohësisht ma jep edhe përmbajtjen e disa skulpturave të punuara në gur, të ciklit “Të rënët”, të cilët, meqë ka frikë se mund të harrohen nga brezat e ardhshëm, dëshiron t’i kujtojë në skulpturë, në punimet e shumta që ka gdhendur për anëtarët e familjes Deliu. Dhe ata që i ka gdhendur, i ka gdhendur ashtu sikurse i ka edhe sot në kujtesë imazhet e tyre: me trup të deformuar, me rroba të grisura e të përgjakura, me kapelat e fëmijëve në kokë, me rruazat e grave e shamitë e tyre të bardha e hiri rreth qafës së gjakosur.
Së këndejmi, si çdo artist tjetër që e tërheq bukuria femërore, edhe Islamaj është i dhënë pas bukurisë së femrës. Madje, pjesët e një femre që e tërheqin më shumë i ka bërë vepra arti. Në dhjetëra punime të tij shohim gjokset e vashave e të grave të gdhendura në gurë. Por, koleksioni i sisëve të femrave, i madhësive të ndryshme të tyre të bëra nga Islamaj, ka histori tragjike. Ai skulpturon gjoksin e femrave meqë temë e shpeshtë në medie, në shëndetësi dhe në përditshmërinë e jetës së njerëzve, është raportimi i kancerit të gjirit. Ai vë në pah bukurinë e trupit të femrës kur është me të dy gjinjtë dhe kur është pa njërin. Bukurinë e gruas nuk e gdhend vetëm në gur. E gdhend edhe në dru arre, bungu e mane siç e ka gdhendur e paraqitur tradhtinë bashkëshortore në koleksionin “Lotët”, edhe besnikërinë bashkëshortore në portretin e përbashkët që ka bërë për Azem dhe Shote Galicën.
Edhe femrat adoleshente kanë zënë vend në punimet e tij të skulpturës, që kryesisht janë realizuar në dru dhe në qeramikë. Meqë kishte dëgjuar një rrëfim, se si një adoleshente kishte lindur fëmijë, kishte filluar menjëherë një vepër arti për të, të cilin e ka realizuar kësisoj: duke e paraqitur adoleshenten pa barrë, me barrë, gjatë procesit të lindjes dhe pas lindjes.
Për veprat e këtij skulptori të jashtëzakonshëm fjalët gjenden lehtë sepse janë veprat e tij ato që, edhe kur heshtin, u flasin gjymtyrët e drunjta, të gurta, të mermerta, të hekurta. Veprat e tij, ndër të tjera, janë kujtime nga historia shumëvjeçare e popullit të Kosovës.